Kryeministri britanik Boris Johnson martohet në një ceremoni të fshehtë

Prej disa ditësh vazhdon jehona e dasmës sekrete të kryeministrit britanik Boris Johnson. Mediat britanike kanë publikuar detaje të ceremonisë, ndërsa kjo është hera e parë që një udhëheqës britanik martohet në detyrë në 199 vjet. Lajmi ishte i papritur për të gjithë, pasi martesa nuk ishte njoftuar paraprakisht, madje edhe të ftuarit ishin thirrur minutën e fundit të shtunën në katedralen Katolike në Londër.
"Kryeministri dhe zonja Carrie Symonds u martuan dje pasdite në një ceremoni të vogël në katedralen Westminster," tha zyra e zotit Johnson të dielën. "Çifti do të festojë martesën me familjen dhe miqtë verën e ardhshme."
Katedralja u mbyll papritmas në orën 1:30 pasdite të shtunën dhe zonja Symonds arriti 30 minuta më vonë në një limuzinw. Një foto martese e lëshuar nga zyra e kryeministrit tregonte çiftin duke buzëqeshur në kopshtin e rezidencës së kryeministrit në 10 Downing Street pas ceremonisë.
Kryeministri konservator u përball këtë javë me kritika të ashpra rreth trajtimit të pandemisë COVID-19 ana e tij, pasi ish-këshilltari kryesor i tij Dominic Cummings i tha një komisioni parlamentar të mërkurën se dështimet e tij kishin shkaktuar mijëra vdekje të panevojshme. Por Johnson I hodhi poshtë akuzat, si të pavërteta.
56 vjeçari Johnson dhe 33 vjeçarja Symonds, kanë jetuar së bashku në Downing Street që kur Johnson u bë kryeministër në 2019. Ata njoftuan vitin e kaluar se ishin fejuar dhe djali i tyre, Wilfred Lawrie Nicholas Johnson, lindi në prill të vitit 2020. Johnson ka katër fëmijë nga martesa e mëparshme me avokaten Marina Wheeler, me të cilën u divorcua në vitin 2018


