Identifikohet në Tajlandë një nga dinosaurët më të mëdhenj në Azinë Juglindore

Identifikohet në Tajlandë një nga dinosaurët më të

Shkencëtarët kanë identifikuar një specie të re dinosauri gjigant me qafë të gjatë, bazuar në fosilet e zbuluara në verilindje të vendit, raportoi BBC.

I quajtur “Nagatitan chaiyaphumensis”, ky dinosaur konsiderohet më i madhi i gjetur ndonjëherë në Azinë Juglindore.

Ai peshon rreth 27 tonë — sa nëntë elefantë aziatikë të rritur — dhe arrin një gjatësi prej 27 metra.

Ai bën pjesë në familjen e sauropodëve, dinosaurë barngrënës me qafë të gjatë.

Specia u identifikua nga një ekip studiuesish nga Kolegji Universitar i Londrës dhe universitete tajlandeze, pas analizimit të fosileve të gjetura, pranë një pellgu në provincën Chaiyaphum rreth një dekadë më parë.

Sipas studiuesve, zbulimi ndihmon për të kuptuar më mirë sesi ndryshimet klimatike në epokat e lashta krijuan kushte për zhvillimin e dinosaurëve gjigantë.

Emri “Nagatitan” vjen nga “naga”, gjarpër mitologjik në folklorin e Azisë Juglindore, dhe “titan”, i referohet hyjnive të mitologjisë greke.

Kjo specie jetoi rreth 100 deri në 120 milionë vjet më parë, afërsisht 40 milionë vjet përpara “Tyrannosaurus rex”, dhe ishte rreth dy herë më i madh se ai.

Autori kryesor i studimit, Thitiwoot Sethapanichsakul, tha se ekipi e quan këtë specie “titani i fundit” i Tajlandës, pasi fosilet u gjetën në formacionin më të ri shkëmbor të vendit ku janë zbuluar dinosaurë.

Ai shpjegoi se shtresat më të reja gjeologjike të rajonit, të formuara në fund të epokës së dinosaurëve, me gjasë nuk përmbajnë mbetje të tjera, pasi zona ishte shndërruar në një det të cekët.

Studimi u publikua në revistën shkencore “Scientific Reports”.

Paleontologia, Sita Manitkoon tha se Tajlanda ka një larmi të madhe fosilesh dhe mund të jetë vendi i tretë në Azi për nga numri i mbetjeve të dinosaurëve të zbuluara.

Sipas bashkautorëve, nagatitani jetoi në një periudhë kur nivelet e dioksidit të karbonit në atmosferë ishin në rritje, ndërsa temperaturat globale ishin të larta — një mjedis që mund të ketë ndikuar në zhvillimin e bimësisë, ushqimit kryesor për këta barngrënës gjigantë.

EMISIONET