Grimca X17, një ftesë për të rimenduar universin jo si një mekanizëm të përfunduar, por si një krijesë të gjallë

Grimca X17, një ftesë për të rimenduar universin jo si

Për dekada të tëra, fizika moderne është mbështetur mbi katër kolona themelore: gravitetin, elektromagnetizmin, forcën e fortë bërthamore dhe forcën e dobët bërthamore. Janë këto katër forca që ndërtojnë orkestrën e universit, duke rregulluar gjithçka, nga ndezja e yjeve, te kërcimi i elektroneve rreth bërthamës, nga stabiliteti i materies, te fenomenet më të rafinuara kozmike. Kjo kahje e botës njihej si një simfoni e plotë. Deri dje.

Pak vite më parë, në laboratore të veçanta ku vështrimi i shkencës depërton deri në palcën e atomit, nisi të dalë në pah një disonancë e vogël, një tingull i panjohur, i cili sugjeronte se simfonia mund të ketë një instrument të fshehur.

Pikërisht aty, studiues nga CERN dhe nga Instituti Atomki i Hungarisë, duke hetuar një grimcë të çuditshme që e quajtën X17, zbuluan sjellje që nuk pajtohej me asnjë ligj të njohur fizik. Grimca dukej se vinte nga një zonë ku shkenca ende nuk ka harta.

X17, një emër sa teknik, aq edhe enigmatik, u shfaq si një lloj urë e dyshimtë, një mesazh sjellës mes dy botëve që kanë bashkëjetuar gjithnjë, por pa komunikim: materia e zakonshme, ajo që ndërton gjithçka që shohim përreth, dhe materia e errët, ajo substancë gjigande dhe e padukshme që mban bashkë universin, por që i shmanget syrit dhe instrumenteve tona. Nëse kjo grimcë është reale, ajo do të ishte ndoshta ambasadorja e parë midis dritës dhe errësirës, midis njohjes dhe misterit.

Pranimi i X17-s do të përmbyste mirëkuptimin tonë për fizikën. Ai do të thoshte se katër forcat e njohura nuk mjaftojnë për të përshkruar dramën e kozmosit; se një forcë e pestë, e padukshme, delikate, por thelbësore, mund të jetë e shtrirë në strukturën shumë më të thellë të realitetit. Një forcë që mund të na shpjegojë përse galaktikat nuk shpërbëhen nën peshën e tyre, pse universit i është dhënë një ritëm zgjerimi që nuk e kuptojmë plotësisht, apo përse graviteti paraqitet kaq kokëfortë në shkallët e mëdha dhe kaq i trazuar në ato të vogla.

Është një hipotezë që nuk i mjafton vetes; ajo po testohet, po kundërshtohet, po matet me imtësi. Por nëse konfirmohet, fizika do të hyjë në një epokë të re, ndoshta më dramatike se revolucioni kuantik apo relativiteti i shekullit XX. Do të ishte si të çelim një derë të fshehtë brenda tempullit të dijes dhe të zbulojmë një korridor të gjerë, të mbuluar nga hija, ku ligje të reja, energji të reja dhe struktura të reja kozmike presin të flasin.

Forca e pestë, nëse realiteti e mban në zemër të vet, nuk do të jetë thjesht një shtesë në listën e ligjeve fizike. Ajo do të jetë një ftesë për të rimenduar universin jo si një mekanizëm të përfunduar, por si një krijesë në lëvizje, që ende mban të fshehtë pjesën më të madhe të arkitekturës së saj. Dhe ne, me gjithë mjetet tona, ndoshta sapo kemi dëgjuar për herë të parë rrahjen e këtij zemërimi të fshehtë.

Përgatiti: Albert Vataj

EMISIONET