BRITNEY SPEARS RRËFEN DHIMBJEN! Ish-bashkëshorti i mohoi kontaktin me djemtë për 3 vite pas divorcit
Britney Spears ka treguar se për tre vite nuk kishte pasur kontakt me djemtë e saj për shkak të kujdestarisë së fituar nga ish-bashkëshorti Kevin Federline.

Këngëtarja e njohur Britney Spears ka ndarë në Instagram një nga periudhat më të vështira të jetës së saj. Ajo publikoi një foto ku shfaqej e kthyer me kurriz, të shoqëruar me një shkrim ku tregonte se prej tre vitesh nuk kishte mundur të komunikonte me dy djemtë e saj, Sean Preston dhe Jayden James.
Sipas Spears, kjo nuk kishte ndodhur për shkak të saj, por sepse ish-bashkëshorti i saj, Kevin Federline, i cili kishte fituar kujdestarinë pas divorcit, ia kishte mohuar kontaktin me fëmijët. Pak më vonë, artistja fshiu shkrimin dhe komentet, duke lënë vetëm fotografinë.
Britney Spears, sot 43 vjeç, u martua me Federline në vitin 2004 dhe dyshja solli në jetë Sean Prestonin (2005) dhe Jayden Jamesin (2006). Martesa përfundoi shpejt: Spears kërkoi divorcin në vitin 2006, i finalizuar në korrik 2007, dhe kujdestaria e fëmijëve mbeti tek Federline.
Megjithatë, shpresat për një ribashkim me djemtë janë ringjallur. Në qershor të këtij viti, Britney publikoi një video të veçantë me Jayden-in 18-vjeçar, i cili drejtonte makinën, ndërsa Sean Preston tashmë është 19 vjeç. Për këngëtaren, ky ishte një moment i thjeshtë por i jashtëzakonshëm, që i kishte munguar për vite me radhë.
Avokati i Federline, Mark Vincent Kaplan, konfirmoi në maj 2024 se Spears kishte rifilluar të komunikonte me fëmijët përmes telefonit. Ai theksoi se një ribashkim i plotë do të kërkojë kohë dhe kujdes, por bisedat e para janë një hap i rëndësishëm drejt ndërtimit të një marrëdhënieje të re mes nënës dhe djemve të saj.


