Big Basta flet për rikthimin në Shqipëri: S'na ka përgatitur njeri për ...

Këngëtari shqiptar, Big Basta dhe bashkëshortja e tij, këngëtarja Vesa Luma kanë lënë Zelandën e Re, për të vazhduar jetën në Shqipëri. Dhe patjetër që pyetja më e shpeshtë që çifti do të marrë është: "Pse u kthyet?".
Basta dhe Vesa kanë lajmëruar se do të vijnë me një bashkëpunim muzikor në "Festivalin 62 të Këngës".
I ftuar në emisionin "Live from Tirana", ai ka treguar për arsyet e largimit nga Zelanda e Re së bashku me familjen e tij, këngëtaren Vesa Luma dhe djalin e tyre dhe tashmë rikthimin në atdhe.
Pjesë nga intervista:
Gazetarja: Përse kjo zgjedhje?
Big Basta: Doja të isha aty ku fillon bota. Ne që të vegjël jemi përpunuar për t'u larguar nga Shqipëria, që kur mësojmë gjuhët e huaja. Nuk na ka përgatitur njeri për të ndenjur në Shqipëri.
E kuptova duke qëndruar andej se sa e rëndësishme ishte Shqipëria. Në Zelandën e Re kanë një politikë të jashtëzakonshme, të thonë që do ta duash shumë vendlindjen tënde.
Ne si popull kemi të mirat dhe të këqijat tona si çdo popull tjetër. Unë u riktheva dhe së bashku me Vesën kemi vendosur të rrisim pasionin tonë sa i përket muzikës si dhe duam që djali të perfeksionojë gjuhën shqipe. Të rrijë me gjyshërit dhe njerëzit e tij të afërm.
Gazetarja: Rikthimi në Shqipëri, a ka ndryshuar diçka në vend për Big Basta-n?
Big Basta: Jemi viti 2023, Shqipëria është vend i bukur. Unë jam repist dhe repistat duhet të jenë opozitar të përhershëm. Shqipëria i përshtatet çdolloj brezi.
Kujtojmë që Big Basta ka sjellë një këngë me Renis Gjokën të titulluar "Një hap përpara", e cila bëri bujë me fjalët emocionuese të reperit në këngë ku "dënonte" politikën e ashpër në Shqipëri.
Gazetarja: A identifikohet Big Basta si një reper që i këndon "halleve" të shqiptarëve?
Big Basta: Mendoj se edhe në dekadat në vazhdim prapë do të ketë vlerë çdo germë e këngëve të mia. Shpesh kam bërë edhe këngë që janë komerciale, nuk i kam shijuar në maksimum, shijoj kur bëj vargje të vërteta.
E shoh veten shumë mirë të pozicionuar në këtë zhanër, më jep jetëgjatësi. Sa më e vjetër bëhet vera aq më e shijshme bëhet, të njëjtën gjë dua edhe unë me këngët e mia.
Gazetarja: Si ka ndryshuar tregu muzikor në Shqipëri sipas artistit?
Big Basta: Në tërësi ka ndryshuar shumë. Tani ka rrallë artiste të zhanrit rrok. Hip Hopi ka fituar si kulturë, është e përhapur në Shqipëri. Ka artistë të mirë por ka edhe kalimtarë. Nga ana cilësore është shumë lartë. Një nga të preferuarit e mi është Lyrical Son. Ka edhe të tjerë, ka artistë të rinj që janë shumë të mirë. Po ecin me hapat e duhur.

