Bad Bunny vendos rekord historik në Super Bowl

Bad Bunny vendos rekord historik në Super Bowl

Producenti i “halftime show” të Bad Bunny në Super Bowl ka zbuluar se performanca ka arritur një numër rekord shikimesh.

Roc Nation bëri të ditur se spektakli ka grumbulluar 4.157 miliardë shikime në 24 orët e para pas transmetimit më 8 shkurt, duke përfshirë audiencën televizive në SHBA dhe në nivel global, YouTube si dhe platforma të tjera digjitale.

Dy ditë pas finales, kompania e matjeve Ripple Analytics raportoi se “halftime show” kishte arritur 4 miliardë shikime, duke theksuar se një “shikim” mund të nënkuptojë nga një deri në 30 sekonda kohë shikimi, në varësi të platformës.

Sipas të dhënave të Nielsen, mesatarisht 128.2 milionë persona në SHBA ndoqën performancën në televizion. Duke marrë në konsideratë kriterin e YouTube, ku një shikim llogaritet pas 30 sekondash, kjo do të përkthehej në afro 3.5 miliardë shikime gjatë 13 minutave e gjysmë të performancës së artistit.

Videoja e “halftime show” në YouTube arriti 29 milionë shikime brenda 16 orëve nga publikimi, ndërsa brenda 24 orëve mendohet se ka kaluar shifrën e 40 milionëve. Tre javë më vonë, videoja ka arritur në 118 milionë shikime.

Në këtë total përfshihet edhe audienca ndërkombëtare televizive – që zakonisht shton rreth 50 milionë shikues – si dhe rrjete të tjera sociale ku mjafton edhe një sekondë shikimi për t’u llogaritur si “view”.

Në këtë mënyrë, totali arrin në shifrën prej 4.157 miliardë shikimesh, sipas Roc Nation.

EMISIONET