Atletja Klodiana Shala flet pa “dorashka”: Kam dalë kampione Europe me 150 mijë lekë të vjetra në muaj
Ajo është nga sportistet më popullore në Shqipëri, pronare e një numri të madh rekordesh dhe rekordmene në disiplinat ku ka marrë pjesë. Po flasim për kampionen e atletikës Klodiana Shala.
Në një intervistë për "Impact" në Rtv Ora me moderatoren Feride Kuqi ajo shpreh keqardhjen që sportistët nuk kanë mbështetjen e duhur.
Duke sjellë në vëmendje rrugëtimin e saj dhe safrikicat si sportiste, ajo thotë se u shpall kampione Europe me pagë 150 mijë lekë të vjetra në muaj.
"Unë jam një nga ato që kam qenë zëri i sportistëve gjithmonë, e kam ngritur zërin. Gjithmonë e kam bërë sportin për Klodi Shalën dhe jo se çfarë do të më japë shteti. Jam nga sportistët që më ka kapur koha që nuk kemi pasur Instagram dhe Facebook për të reklamuar daljet tona, kam dalë kampione Europe me 150 mijë lekë të vjetra në muaj, jam ajo sportiste që kam shkuar në Botëror dhe Europian me lekët e mia sepse shteti nuk kishte lekë për të prerë biletat e avionit dhe shumë e shumë halle të tjera por unë e kam bërë deri ku do të shkojë Klodi.
Unë dhe sot kur këndohet hymni i Shqipërisë më dalin lotët sepse e kam përjetuar dhe ndjej vendin tim. Jam zhgënjyer shpesh herë absolutisht që por është një problem shumë i madh i joni që ne nuk ngrihemi të gjithë bashkë për të kërkuar çfarë ne meritojmë. Të gjithë mund të bëjnë shoë momental kur merr medalje. Problemi është çfarë do të bëhet mbrapa, se për momentin mund t'ja dalësh se je i ri.
Ndaj them se kam qenë zëri i sportistëve dhe e kam ngritur zërin me çdo parti. Kam thënë që duhet të bëhet me ligj dhe zbatim se çfarë do të bëjnë këta sportistë sepse ata kanë sakrifikuar shumë në jetë. Jam nga ata sportistë që për 15 vite kam bërë 8 orë në ditë stërvitje dhe vetëm një të dielë kisha 4 orë. Nuk kam shijuar një dasmë të fisit, kam fjetur në 9 të darkës dhe jam zgjuar në 7 të mëngjesit. Një sakfrikicë e paparë si në ushqim, në të jetuar, kudo".
Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.

