Arabia Saudite pa shami

Arabia Saudite pa shami

Për herë të parë Arabia Saudite do të dërgojë sivjet përfaqësuesen e saj në Miss Universe, pra në garën botërore për më të bukurën e globit. Ajo quhet Rumy Alqahtani, është 27-vjeçare, nuk bart shami, ka rreth 1 milion ndjekës në Instagram.

Reformat në Arabinë Saudite, të shtyra nga Princi i Kurorës, Mohamed Bin Salman, po e ndryshojnë Arabinë Saudite me hapa të shpejtë.

Grave u është lejuar të drejtojnë automjetin, është hequr tutoria e burrave ndaj grave, ato mund të jetojnë vetëm (po deshën), mund të paraqesin kërkesë për pasaportë, mund të hapin firma, pa marrë pëlqimin e burrit, babait apo vëllait.

Mjekia Rayyanah Barnawi ishte vitin që shkoi gruaja e parë nga Arabia Saudite që u ngjit në Stacionin e Gjithësisë (ISS).

Nga qielli Barnawi e përshëndeti gjyshen e saj dhe duke bërë me gisht nga veshi i tregoi se vathet e saj kanë arritur në qiell.

Ngjitjen në qiell të Barnawit e pagoi qeveria saudite (50 milionë euro). Deri para disa vitesh gratë si Barnawi nuk lejoheshin të shkonin vetëm as në dyqanin e lagjes.

Ndërkohë udhëheqja në Riad e ka kuptuar se izolimi i grave, mbajtja e tyre si skllave ka pasoja të rënda për zhvillmin e shoqërisë si dhe dobëson ekonominë.

Andaj duket se është vetëm çështje kohe kur në Arabinë Saudite të hapet debati mbi heqjen e obligimit për bartjen e shamisë.

Ndonëse sa i përket respektimit të të drejtave të njeriut ky vend është shumë larg standardeve të pranuara ndërkombëtare, përparimi sa i përket të drejtave të grave është tashmë epokal.

Këtë e tregon edhe pjesëmarrja në Miss Universe e Rumy Alqahtani. 

EMISIONET