Andrew dhe Tristan Tate arrestohen në SHBA, Britania kërkon ekstradimin pas akuzave të reja...

Andrew dhe Tristan Tate arrestohen në SHBA, Britania kërkon

Andrew Tate dhe vëllai i tij Tristan Tate janë arrestuar në Shtetet e Bashkuara, pasi autoritetet britanike njoftuan ngritjen e akuzave të reja ndaj tyre. Prokuroria në Mbretërinë e Bashkuar (CPS) bëri të ditur se Andrew Tate përballet me shtatë akuza të reja për përdhunim, si dhe akuza të tjera që lidhen me vepra të dyshuara, përfshirë trafikimin e personave për qëllime shfrytëzimi seksual dhe materiale të pahijshme me një fëmijë.

Ndërkohë, Tristan Tate akuzohet për një rast sulmi seksual, dy akuza për përdhunim dhe tre akuza për organizimin ose lehtësimin e trafikimit për shfrytëzim seksual. Sipas autoriteteve britanike, veprat e dyshuara lidhen me periudhën nga korriku 2010 deri në gusht 2017. Të dy vëllezërit i kanë mohuar më herët të gjitha akuzat.

Malcolm McHaffie, drejtues i Divizionit të Krimeve të Veçanta në Prokurorinë e Kurorës, tha se vendimi për ngritjen e akuzave erdhi pas marrjes së provave të reja nga Policia e Bedfordshire dhe se numri total i viktimave të pretenduara në këtë çështje ka shkuar në shtatë.

 Marshals-at amerikanë konfirmuan për BBC se vëllezërit Tate janë marrë në paraburgim, ndërsa Departamenti amerikan i Drejtësisë bëri të ditur se arrestimet janë kryer në kuadër të procedurave të ekstradimit.

CPS ka kërkuar ekstradimin e dy vëllezërve, të cilët kanë shtetësi të dyfishtë britanike dhe amerikane, nga SHBA drejt Mbretërisë së Bashkuar.

Avokati i tyre, Joseph McBride, deklaroi se Andrew dhe Tristan Tate janë të pafajshëm dhe i cilësoi akuzat e reja si një “sulm politik”. Ai tha se mbrojtja e tyre është e bindur se, pasi faktet të shqyrtohen nga një gjykatës, ata do të lirohen.

Në maj të vitit 2025, prokurorët britanikë konfirmuan se vëllezërit Tate do të përballen përfundimisht me një listë prej 21 akuzash në Mbretërinë e Bashkuar, për vepra që dyshohet se kanë ndodhur mes viteve 2012 dhe 2016.

Në vitin 2024, Policia e Bedfordshire siguroi urdhër-arreste evropiane për kthimin e tyre nga Rumania, ku ata jetojnë dhe ku po hetohen për çështje të tjera penale.

Të dy vëllezërit më herët kanë humbur një përpjekje ligjore për të zbuluar identitetin e akuzueseve të tyre në Mbretërinë e Bashkuar, pasi Prokuroria e Kurorës vendosi të mbante të fshehura emrat e viktimave të pretenduara deri në nisjen zyrtare të procedurave ligjore.

EMISIONET