Vincent van Gogh: Piktura ime, ky jam unë! Po çdo vepër e tij është një copë shpirt, e nxjerrë me dhembje dhe ndriçuar me dashuri

Vincent van Gogh: Piktura ime, ky jam unë! Po çdo vepër e tij

Në letrën e tij drejtuar vëllait, Theo, më 1882, post-impresionisti, Vincent van Gogh, bën pyetjen:  “Çfarë jam unë në sytë e shumicës së njerëzve?

Duke u përgjigjur ai shprehet: “Unë jam një jo-entitet, një njeri i çuditshëm ose një person i papëlqyeshëm, dikush që nuk ka dhe nuk do të ketë asnjë pozicion në shoqëri, me pak fjalë pak më i ulët se më i ulëti. Shumë mirë, duke supozuar se gjithçka është me të vërtetë kështu, atëherë përmes punës sime do të doja të tregoja se çfarë ka në zemrën e një çuditshmërie të tillë, të një askushi të tillë. Edhe pse shpesh jam në rrëmujë, brenda meje ka ende një harmoni dhe muzikë të qetë, të pastër. Në shtëpinë e vogël më të varfër, në cepin më të ndyrë, shoh piktura ose vizatime. Dhe mendja ime kthehet në atë drejtim si me një nxitje të parezistueshme.”

Vincent van Gogh është njeriu që pikturoi shpirtin, jo dritën që bie mbi sende, por dridhjen që ajo lë brenda tyre. Ai nuk pikturoi për të parë botën, por për ta ndjerë atë deri në dhembje. Ngjyrat e tij nuk janë pamje, por psalme që shpërthejnë nga brendia e njeriut të plagosur që kërkon shëlbim përmes artit.

Vincent van Gogh: Piktura ime, ky jam unë! Po çdo vepër e tij

Në çdo penelatë të tij, dhembja merr trajtë ylli, mërzia kthehet në ar, trishtimi bëhet ag. Ai është poeti i ngjyrës që flet në emër të atyre që s’dinë të flasin, apostulli i dritës që ndriçon plagët e shpirtit njerëzor. Van Gogh nuk e kërkoi lavdinë, por kuptimin; nuk kërkoi pëlqimin, por shpëtimin. Ai pikturoi për të mbijetuar, dhe në këtë përpjekje u përjetësua.

Në çdo “Autoportret” të tij, piktori shfaqet jo si figurë, por si shpërthim, një njeri që s’e ndan dot artin nga ekzistenca, që përzien frymën me pigmentin, jetën me krahun që dridhet. “Piktura ime, ky jam unë!” thotë ai, dhe në të vërtetë, është: çdo vepër e tij është një copë shpirt, e nxjerrë me dhembje dhe ndriçuar me dashuri.

Vincent van Gogh: Piktura ime, ky jam unë! Po çdo vepër e tij

Van Gogh mbetet paradigma më e dhimbshme e artistit të pakuptuar, ai që jetoi në kufirin e lartësisë dhe shkatërrimit, që pa përtej syve të njerëzve, por nuk u pa prej tyre. Ai s’e përkufizoi artin si mjeshtëri, por si mundim, një gjendje përvëluese ku njeriu digjet për t’u bërë dritë. Në çdo tablo të tij, ndjesia është më e fortë se forma, e vërteta më tronditëse se bukuria.

Shoqëria që e shpërfilli gjallë, sot e adhuron për vdekjen e tij, por nuk arrin ende ta kuptojë përmasën e asaj flake që digjej brenda tij. Ai pikturoi atë që shpirti sheh kur sytë nuk mjaftojnë më, trishtimin që shndërrohet në dritë, dhimbjen që bëhet poezi, vetminë që rrëfen dashurinë universale.

Vincent van Gogh: Piktura ime, ky jam unë! Po çdo vepër e tij

Në fund, Van Gogh nuk kërkoi të shënonte historinë e artit, por të shpëtonte shpirtin e vet. Dhe në këtë përpjekje që s’u kuptua as nga koha e tij, ai u bë vetë një shenjë e përjetësisë, dëshmi se arti është mënyra më hyjnore e vuajtjes njerëzore për t’u bërë dritë.

EMISIONET