VIDEO/ Sulltan Novruzi, dita e fisnikërisë bektashiane dhe ringjalljes së madhe! Politika uron besimtarët: Gëzuar festën!

VIDEO/ Sulltan Novruzi, dita e fisnikërisë bektashiane dhe ringjalljes

Sot besimtarët bektashianë kremtojnë Ditën e Sulltan Novruzit, ditëlindjen e të madhit Imam Aliu. Festa e Sulltan Novruzit shënon fillimin e vitit të ri, sipas sektit bektashian dhe përkon me ditëlindjen e Imam Alit në Qabe.

Kjo ditë cilësohet në mbarë botën Aleviane si dita e fisnikërisë bektashiane dhe dita e ringjalljes së madhe.

Në këtë ditë çdo gjë mund të ringjallet, lind shpresa, ringjallja për gjithë njerëzimin. Ajo është një ditë e re, kur të gjithë shpresojnë për një të ardhme më të mirë.

Politika uron besimtarët

Presidenti Bajram Begaj dhe kryeministri Edi Rama ishin të parët që kanë uruar sot besimtarët bektashinj për festën e Sulltan Nevruzit.

Kreu i shtetit thotë se do të festojë me besimtarët bektashnj përmetarë.

“Nga Teqeja e Baba Aliut në Alipostivan, Presidenti Begaj do të përcjellë urimet e tij për të gjithë besimtarët bektashinj shqiptarë në orën 12.00”, njofton Presidenca.

Ndërkohë kryeministri Rama ka uruar besimtarët duke ndarë me ndjekësit pamje nga Kurora e Malit Sevaster në Selenicë.

“Mirëmëngjes dhe nga Kurora e Malit Sevaster në Selenicë, ju uroj gëzuar festën e Sulltan Nevruzit”, shkruan Rama.

Kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla uron të gjithë besimtarët bektashinj në Ditën e Sulltan Novruzit.

Në Ditën e Sulltan Novruzit, Nikolla u uron të gjithë besimtarëve bektashinj “mbarësi, mirëqënie, dashuri dhe paqe!”

“Ëmbëlsia e kësaj feste të fisnikërisë e ringjalljes bektashiane le të shpërndahet e përshkojë jetët e vatrat familjare të gjithë shqiptarëve që kremtojnë këtë ditë të shënuar!”, thuhet në urimin e Kryetares së Kuvendit, Lindita Nikolla.

Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi uroi për më shumë mirësi e begati për të gjithë besimtarët. “Gëzuar festën e Sulltan Novruzit! Paqe, mirësi, begati për të gjithë besimtarët bektashinj”, uroi Peleshi.

Ministri i Brendshëm Taulant Balla zgjodhi pamje nga Teqeja e Abaz Aliut, në Malin e Shenjtë të Tomorrit, për të uruar Festën e Sulltan Novruzit.

“Urime të gjithë besimtarëve bektashinj me fjalët e ndritura të poetit tonë të madh Naim Frashëri: ‘Sot është një ditë e re që përsëritet moti, lind vera, lind ngrohtësia, lind Aliu, lind vet Zoti'”, u shpreh Balla.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu uroi po ashtu Festën e Sulltan Nevruzit për të gjithë besimtarët bektashinj.

Edhe ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu uroi festën e Sulltan Nevruzit, festën e ditës së re, ripërtëritjes së shpresës dhe besimit.

Urimeve i është bashkuar edhe ish-kryeministri Sali Berisha i cili u uron besimtarëve Gëzuar Sulltan Novruzin!

"Të dashur miq, sot bektashinjtë në Shqipëri dhe kudo që janë festojnë ditën e shenjtë të Sulltan Novruzit si ditën e besimit të madh tek i Gjithëfuqishmi, dhe adhurimit të Imam Aliut, ditën që siç shkruante poeti ynë kombëtar bektashi Naim Frashëri: "Përseritet moti, lind vera, lind ngrohtësia, lind Aliu, lind vetë Zoti".

Me këtë rast të dashur miq, le t’i urojmë përzemërsisht bektashinjve shqiptarë kudo që ndodhen Gëzuar Sulltan Novruzin dhe të shprehim ne mirënjohjen më të pakufishme ndaj baballarëve dhe shehlerëve udhëheqës të bektashizmit shqiptar dhe botëror që shndërruan teqet dhe vakufet e tyre në mësënjtore të gjuhës tonë të bukur dhe vatra të atdhetarisë, në qendra të fuqishme të zgjimit dhe rezistencës së kombit shqiptar në kohërat më të vështira të pushtimeve osmane, nazifashiste dhe komuniste. Gëzuar Sulltan Novruzin!", thotë Berisha.

Sulltan Novruzi në Shqipëri

VIDEO/ Sulltan Novruzi, dita e fisnikërisë bektashiane dhe ringjalljes

Në Shqipëri Dita e Sulltan Novruzit, festa më e rëndësishme e bektashizmit, u dekretua si festë kombëtare në vitin 1996.

Në vendin tonë sekti i bektashinjve, është i vendosur kryesisht në jug të vendit, ndërkohë që ai ka një shtrirje të konsiderueshme në territorin e Republikës së Shqipërisë.

Bektashinjtë janë të përhapur në Kosovë dhe në Maqedoni, ku krahas sunitëve ata përbëjnë popullsinë shqiptare të besimit mysliman.

Përfaqësuesit e bektashizmit kanë dhënë një ndihmë të madhe në çështjen kombëtare, duke filluar që nga periudha e Rilindjes Kombëtare, Pavarësisë dhe gjatë luftës për Çlirim.

Bektashizmi është një urdhër fetar islamik me një teori filozofike të vetën dhe të veçantë. Ai u krijua në Anadoll në shekullin XIV dhe mori këtë emër nga themeluesi i saj Haxhi Bektash Beliu. Në Shqipëri, bektashizmi depërtoi me pushtimin osman në qytete dhe qendra garnizonesh si Krujë, Elbasan, Gjirokastër, Tepelenë, Frashër etj.

Sipas burimeve historike, Bektashizmi njohu një përhapje të gjerë në popullsinë shqiptare të pakënaqur nga reformat centralizuese të Portës së Lartë, pasi kleri bektashi përkrahu lëvizjet popullore kundër pushtetit osman, si dhe përdori gjuhën shqipe për një letërsi të tijën.

Gjatë Rilindjes Kombëtare bektashinjtë e mbështetën luftën për liri dhe gjuhën kombëtare, ndër të cilët veprimtarët Baba Alushi i Frashërit dhe Baba Hyseni i Melçanit.

Një varg teqesh të tyre u shndërruan në qendra të lëvizjes kombëtare. Pas Kongresit të Lushnjës bektashizmi u njoh zyrtarisht si komunitet fetar i pavarur. Në vitin 1924 selia Botërore e Bektashizmit u shpërngul nga Anadolli në Tiranë. I detyruar nga regjimi komunist, bektashizmi, si pjesë e ideologjisë fetare, e pushoi veprimtarinë e tij në vitin 1967, për ta rifilluar përsëri gjatë vitit ’91.

Ritet e festës së Sulltan Novruzit

Për nder të kësaj dite, amvisat bëjnë një byrek të veçantë për këtë ditë, pasi në harxhë futen 12 gjethe lakrash të llojeve të ndryshme dhe një monedhë metalike.

Në darkë për pjesëtarët e familjes nxirret përpara byreku, që ndahet në aq pjesë sa anëtarë janë. Zonja e shtëpisë përpara se të nisë zgjedhjen e pjesëve, lutet për fatet e pjesëtarëve të familjes dhe më pas, secili zgjedh pjesën e vet. Ai që gjen monedhën (lekun), duhet patjetër që të blejë për shtëpinë një kilogram kripë, pasi parashikon një vit të mbarë.

Ndërsa mbaron ky rit, familjet bektashiane në shenjë respekti e shpërndajnë një pjesë të byrekut nëpër familje kristiane.

EMISIONET