VIDEO/ Homazhe për Baba Hekuran Nikollarin, modeli i klerikut atdhetar të bektashizmit
Të enjten, mijëra besimtarë bektashinj dhe të besimeve të tjera, shqiptarë të diasporës, profesorë, doktorë dhe politikanë u mblodhën në teqenë e Alipostivanit në Përmet për t'i dhënë lamtumirën e fundit Baba Hekuran Nikollarit.
Për Kryegjyshin Botëror Bektashi, Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj, kjo ishte një humbje e madhe jo vetëm për këtë komunitet, por për të gjithë kombin shqiptar.
"Ishte një klerik i thjeshtë në dukje dhe jetesë, por shumë i përkushtuar për besimtarët, njerëzit në nevojë, bektashizmin, që jetën e tij ia dedikoi kësaj rruge të vështirë. Kryegjyshata Botërore Bektashiane dhe të gjithë besimtarët bektashinj janë në zi prej mbrëmjes së datës 3 shkurt, kur baba Hekurani kaloi nga kjo jetë.
Teqeja e Alipostivanit, teqeja e Frashërit u ngritën nga rrënojat e komunizmit, nga puna e palodhur dhe me përkushtim e babait aq shumë të dashur jo vetëm në këtë trevë, por i mbarë Shqipërisë," tha Haxhi Dede baba Edmond Brahimaj.
Trashëgimia që la Baba Hekurani u vlerësua nga ministrja e Turizmit, Mirela Kumbaro, si një thesar për Shqipërinë dhe trashëgiminë kulturore.
"Baba Hekurani ishte një humanist, një klerik i jashtëzakonshëm. Ishte bërë baba qëna bekoi të gjithëve, na vuri dorën në kokë. Ky tempull sot është një pasaportë e kulturës dhe trashëgimisë shpirtërore shqiptare," u shpreh ministrja Kumbaro.
Besimtarë të Shumtë të cilët e njohën Baba Hekuranin shprehën përjetimet e tyre për këtë ngjarje të trishtë.
Baba Hekuran Nikollari, ndërroi jetë pa pritur më 4 shkurt. Baba Hekuran Nikollari shërbente prej vitesh në teqenë emblemë të bektashizmit në jug të vendit.
Ai do të mbahet mend si një klerik i përkushtuar ndaj besimtarëve, si një mbrojtës i identitetit kombëtar dhe promovues i harmonisë fetare.
Teqeja në Alipostipan është një vend shumë i njohur pelegrinazhi për bektashizmin. Falë punës së jashtëzakonshme të Baba Hekuran Nikollarit ky vend i shenjtë ishte rikonstruktuar me ambiente të ndryshme në funksion të besimtarëve.