“Tri jetë për arkeologjinë”, aktivitet kushtuar figurave të shquara Ceka, Budina e Jubani

Në Akademinë e Shkencave u zhvillua veprimtaria shkencore “Tri jetë për arkeologjinë”, kushtuar përvjetorëve të tre arkeologëve të shquar, Hasan Ceka, Dhimosten Budina dhe Bep Jubani.
Veprimtaria u organizua nga Komisioni i Përhershëm i Arkeologjisë në bashkëpunim me Institutin e Arkeologjisë në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë.
Kryetari i Komisionit të përhershëm të arkeologjisë, prof. dr. Neritan Ceka, hapi veprimtarinë dhe shprehu vlerësimet për arkeologët Hasan Ceka, Dhimosten Budina e Bep Jubani, duke i cilësuar si studiues të shquar dhe vizionarë që ngritën mbi themele të forta shkencën e arkeologjisë shqiptare.
Ceka bëri prezantimin e jetës dhe veprës së arkeologut Hasan Ceka, lidhur me fillimet e arkeologjisë shqiptare. Ai e vlerësoi, jo vetëm si babanë e tij, por edhe si mentorin e tij në fushën e arkeologjisë, si shembull të përkushtimit, disiplinës dhe rregullit.

Prof. Hasan Ceka është themelues i arkeologjisë shqiptare si shkencë albanologjike, si dhe i numizmatikës ilire si disiplinë shkencore e studimit të monedhave antike. Ai programoi të ardhmen e arkeologjisë shqiptare me projektin e vitit 1947 për krijimin e Institutit të Arkeologjisë, ashtu siç u realizua në vitin 1991 dhe është edhe sot.
Jeta dhe vepra e arkeologut Dhimosten Budina (1930-2004) u prezantua nga prof. dr. Ilir Gjipali.
Prof. Budina kreu studimet e larta në Universitetin e Moskës, ku u diplomua për arkeologji klasike. Punoi në Sektorin e Arkeologjisë të Institutit të Shkencave (sot Instituti i Arkeologjisë i ASHSH-së) deri në vitin 1992. Bashkëpunoi me ekipin e arkeologëve rusë në gërmimet në Apoloni. Në 1959-n, bashkë me kolegen ruse Kastanajan filluan gërmimet në Orik, ku arritën të zbulonin një monument kompleks në qendër të qytetit, të vlerësuar në atë kohë si teatër i vogël i shek. IV p. Kr.
Kreu kërkime afatgjata në tri qendra kryesore të Kaonisë në Antigone, Butrint dhe Finiq.

Në fillim të viteve 1990, pas daljes në pension, Budina shkoi në Rusi, ku edhe atje u angazhua në Moskë në projekte gërmimi arkeologjik dhe u bë pjesë e ekipit që kreu gërmime në Sheshin e Kuq.
Akademiku Adem Bunguri, drejtori i Institutit të Arkeologjisë, prezantoi jetën dhe veprën e arkeologut Bep Jubani, që përfaqëson një nga studiuesit më të rëndësishëm të brezit II të arkeologjisë prehistorike shqiptare. Ai dha një kontribut të gjerë në rindërtimin kulturor të prehistorisë shqiptare, që përfshin edhe hulumtimin e një sërë vendbanimesh (Gajtan, Rosujë, Kodra e Pazarit, Kamnik), të pejsazheve të tëra kulturore-arkeologjike (lugina e Drinit të Zi, zona e Mbishkodrës) dhe në metodologjinë e studimit arkeologjik në terren dhe në kabinet e më gjerë.
Prof. Bep Jubani ka sjellë në dritë jo vetëm një numër të madh monumentesh e vendgjetjesh arkeologjike duke pasuruar hartën kulturore të vendit, por edhe ka ndriçuar historinë e gjatë e të pasur të shumë rajoneve të Shqipërisë.

Rezultatet e kërkimeve të prof. Hasan Cekës, prof. Bep Jubanit dhe prof. Dhimosten Budinës mbeten edhe sot referenca të rëndësishme për studiuesit e arkeologët e rinj në punën e tyre, për t’i’ thelluar e çuar më tej ato. Kontributet e tyre janë pjesë e fondit të trashëgimisë së arkeologjisë shqiptare.


