“Tetori Fishtjan” i Lezhës, aktivitete letrare në nder të At Gjergj Fishtës

Tetorin, muajin e letërsisë, Biblioteka Publike e Lezhës e ka pagëzuar si “Tetori Fishtjan”, në nder të figurës dhe veprës së At Gjergj Fishtës.
Qëllimi është për të risjellë në vëmendje trashëgiminë letrare të poetit kombëtar, klerikut françeskan, publicistit dhe mendimtarit të shquar shqiptar. Me këtë rast, në Lezhë, janë parashikuar një sërë veprimtarish letrare, kulturore dhe artistike.
Biblioteka Publike “At Gjergj Fishta” organizoi ekspozitën “Fjala që ngriti Kombin” me një prezantim të veprës madhore “Lahuta e Malcis”, në botime të ndryshme nga fondi i bibliotekës, si dhe vepra studimore kushtuar kësaj kryevepre të letërsisë shqiptare.
Ndërkohë bashkia e Lezhës ka shpallur edhe Konkursin Mbarëkombëtar Letrar “At Gjergj Fishta”, edicioni i vitit 2025, fituesit e të cilit do të shpallen në datën 23 tetor.

