Takim me një kandidat për çmimet “Oskar”: Jemi ne që krijojmë ëndrrat

Jemi mësuar të flasim për emigrantë e azilkërkues në Evropë përmes shifrave, raporteve anijeve që i zbarkojnë në brigjet evropiane të Mesdheut. Një ditë janë me qindra e ditën tjetër me mijëra që largohen për të shpëtuar nga lufta, persekutimi, varfëria, fatkeqësia.
Ka dhe ditë dramatike ku moti i keq o barka e tejmbushur fundoset duke marrë nën det fëmijë, të rinj, gra që në këtë udhëtim shprese gjejnë vdekjen.
Dëshpërimi, nevoja, mundësia e fundit e jetës shtyjnë këta njerëz në këto rrugëtime sa dramatike aq të panjohura për fatin e tyre.
Por ka dhe një tjetër dimension njerëzor që i jep zemër shpresës; është ëndërr për t'u realizuar, pasi Europa, perëndimi, bota përtej Afrikës së tyre është shansi i jetës për t'u bërë sportist, artist, aktor, doktor, për t'u shkolluar apo t'u formuar e ndihmuar familjet në vendorigjinë.
E këtë këndvështrim ndryshe sjell në artin e bezes, kandidati për Oscar, regjizori italian Matteo Garrone në filmin e tij të fundit "Unë Kapiteni".
Në një takim ndryshe me gazetarë të huaj në Itali, regjizori italian autori i filmave si "Gomorra", Pinocchio", "Komandante" (kandidat Oscar) etj etj, rrëfen me emocion se si linda ideja e këtij projekti.
Është historia e dy djemve minorenë Mustafa e Seydou që prej vendlindjes Senegal, ndërmarrin udhëtimin e vështirë për të mbërritur në Itali.
Është udhëtimi i ëndrrës së jetës për të arritur në Europë, një rrugëtim i vështirë ku duhet të kalojnë shkretëtirën, kontrollet policore, sulmet e bandave, rreziqet e rrugës, torturat në burgjet libiane, e deri iniciativën e një minoreni si Seydou që piloton i vetëm një barkë me dhjetara emigrantë drejt brigjeve të Italisë.
Është historia e vërtetë e një 17-vjeçari që regjizori Mattero Garrone ka takuar rastësisht në një kamp emigrantësh minorenë në Katania të Sicilisë.
I frymëzuar nga rrëfimi i tij, Garrone punon për ta bërë film e është hera e parë që një film me metrazh të gjatë rrëfen artistikisht udhëtimin e plotë të një emigranti nga Afrika, përmes shkretëtirës e Mesdheut deri sa mbërrin në brigjet italiane.
Dy aktorët kryesorë të filmit, Seydou e Mustafa që janë emrat e tyre në jetën reale, janë jo profesionsitë e për herë të parë impenjohen në një projekt kinematografik e po hera e parë ishte që udhëtonin përtej Afrikës e Senegalit, vendlindjes së tyre.
"Kam dashur të kaloj përtej rrëfimit gazetaresk të dramës së emigrantëve e të dokumentoj në 360 gradë rrugëtimin e tyre që nisen nga Afrika e mbërrijnë në Itali".
I përlotur, regjizori italian rrëfen episode të xhirimit ku shpesh skenografia dhe vetë skenari është orientuar nga dëshmitë e protagonistëve më të moshuar të filmit që këtë udhëtim e kishin kryer më parë.
Matteo Garrone, kandidat për Oscar me filmin e mëparshëm "Komandanti", shprehet se dhe pse nuk fitoi është mëse i kënaqur për impaktin e kritikën që filmi ka pasur në publikun italian e atë të huaj.
Biseda orientohet drejt roli që kinematografia ka tek shpirti njerëzor por dhe tek sfidat që ky art mban në një epokë që transformohet e evoluon çdo sekondë.
Me spontanitetin e të dashuruarit pas pasionit më të madh të jetës, Matteo Garroni ngre deri në fyt pulovrën e tregon me krenari bluzën që ka në mish ku shkruhet; "Shikoni filmat në sallat e kinemasë".
Pasthirrmat entuziaste të gazetarëve plotësuan përgjigjen se bukuria e një filmi të vërtetë përtej platformave e teknologjisë që avancon, është kinemaja.
Filmi "Unë Kapiteni", fitoi çmimin Luani i Artë në Festivalin e Venezias, Golden Globe në Amerikë, Eurepean Film 2023 e garon për Golden Globe italiana. Globo D'Oro e ka mbushur sallat e kinemasë në të gjithë Europën.
Drama e personazheve të këtij filmi vijon dhe në jetën reale. Nuk është e lehtë të jetosh aty ku dëshëron, por Seydou e Mustafa si dhe dy aktorë të tjerë të filmi janë marrë në ngarkim nga regjisori e sot jetojnë në Itali në dëshirën që të realizojnë ëndrrat e tyre.
Ky film që në skenar ka nota historike me jetë shqiptarësh e drama shqiptarësh që me gomone e anije kërkonin ëndrrën evropiane, u përzgjodh nga Ati i Shenjtë Papa Francesco për ta shfaqur në Pallatin Apostolik, e po ashtu dhe në spitalet e Romës mes pacientëve në terapi të gjatë.
"Unë Kapiteni" u xhirua në rreth 3 muaj kohë mes Senegal e Marok, e ka kushtuar rreth 9 milionë euro.
Kandidati Oscar rrëfen ekskluzivisht se brenda muajit do të udhëtojë bashkë me dy aktorët e rinj drejt Senegalit e janë kuriozë të shohin se si do pritet nga publiku afrikanë.
"Jemi ne që krijojmë ëndrra", shprehet në mbyllje regjizori Garrone. Ngjan si thirrja e Seydon ndërsa shikon helikopterin e Policisë Italiane mbi barkën me emigrantë e thërret; "Unë Kapiteni", jam "Unë Kapiteni":

