Speciet nëpërmjet fotografisë/ Ciko: Fotografia është mënyra për të shpëtuar atë që po zhduket
Fotografia nuk është vetëm një formë arti, por edhe një mjet i fuqishëm për të treguar realitetin e natyrës që po rrezikohet çdo ditë.
Aktivisti dhe fotografi Ilir Ciko ngre alarmin për ndikimin që kanë aktivitetet njerëzore, pesticidet dhe ndryshimet klimatike mbi biodiversitetin teksa kërkoi ndërgjegjësim.
Fotografia nuk është vetëm art por edhe një mjet i fuqishëm për ndërgjegjësim mjedisor.
Këtë mesazh përcjell nëpërmejt fotografive aktivisti Ilir Ciko, i cili prej vitesh dokumenton atë që ndodhet përreth nesh, por që ndonjëherë nuk arrijmë ta vëmë re.
Për Ora News thotë se zonat e mbrojtura janë destinacione të rëndësishme për biodiversitetin, ku mund të shihen specie të rralla shpendësh por këto ekosisteme janë gjithnjë e më të rrezikuara nga ndikimi i aktivitetit njerëzor.
‘’Ndërhyrja e njeriut me ose pa dëshirë shpesh cënon këto ekuilibra të cilat janë shpesh të brishta’’.
Thotë se përdorimi i pesticideve në bujqësi apo ndryshimet klimatike po ndikojnë negativisht në zinxhirin ushqimor të gjallesave.
‘’Numri i tyre është jo vetëm i kufizuar por shpesh edhe i kërcënuar për faktorë të ndryshëm si urbanizimi i vendit apo rreziqet që vijnë nga pesticidet’’.
Shembull merr vitin e pandemisë i cili na tregoi se sa shumë përfiton natyra kur nuk ka ndërhyrje.
Ai apelon që kjo pasuri e çmuar të mos mbetet vetëm në imazhe, por të njihet, të vlerësohet dhe të mbrohet nga të gjithë.

