Sot, 8 vite nga Shenjtërimi i Nënë Terezës, krerët e shtetit gjejnë një minutë kohë për lutje
Sot janë bërë 8 vite nga Shenjtërimi i Nënë Terezës. Shën Nënë Tereza u shpall “E Shenjtë” më 5 shtator të vitit 2016.
Shenjtërimi i saj u bë para tetë vitesh, pasi u njohën dy mrekulli të Nënë Terezës, të rasteve të shërimit të njerëzve, pas vdekjes së saj në vitin 1997.
Nënë Tereza, e njohur si Anjezë Gonxhe Bojaxhiu, është shqiptare e lindur më 26 gusht 1910 në Shkup.
Misioni i saj jetësor ishte t’u dilte në ndihmë njerëzve në nevojë, si njerëz të varfër, të sëmurë, të vetmuar, të pastrehë etj, i cili mision e bëri të pavdekshme në mendjet dhe zemrat e njerëzve në mbarë botën.
MESAZHET E POLITIKES
Shënjterimin e saj e kanë kujtuar edhe krerët e shtetit shqiptar.
Presidenti i Republikës Bajram Begaj përmes rrjeteve sociale thekson se mësimet e Nënë Terezës mbeten frymëzim për çdo shqiptar dhe mbarë njerëzimin
“Sot kremtojmë ditën kushtuar bijës së shenjtë shqiptare, Nënë Terezës, shembull i fuqisë së shpirtit dhe besimit, me një jetë të kaluar në dedikim e shërbim ndaj të vuajturve.
Mësimet e saj mbeten frymëzim për çdo shqiptar dhe mbarë njerëzimin”, shprehet Presidenti Begaj.
Ndërsa, kryeministri Edi Rama ka zgjedhur të urojë shqiptarët për një ditë të mbarë me një lutje të Nënë Terezës.
“Gjej një minutë për të menduar, gjej një minutë për t’u lutur, gjej një minutë për të qeshur”, thuhet në citatin e Shenjtores të përzgjedhur nga kryeministri Rama.
Ambasada Amerikane
Ambasada Amerikane në Tiranë ka kujtuar sot përvjetorin e shenjtërimit të Nënë Terezës.
Në një postim në rrjetet sociale, ambasada shkruan se kjo ditë shërben si një kujtesë e fuqishme e rëndësisë së veprimeve të vogla dhe aftësisë së tyre për të frymëzuar ndryshimin.
“Unë vetëm nuk mund ta ndryshoj botën, por mund të hedh një gur përtej ujërave për të krijuar shumë valëzime”, ka cituar ambasada thënien e shenjtores shqiptare.
Postimi i plotë:
Sot, bota feston Ditën Ndërkombëtare të Bamirësisë, duke nderuar Nënë Terezën, shenjtoren me origjinë shqiptare, e cila ia kushtoi jetën lehtësimit të vuajtjeve të të varfërve përmes bamirësisë, vullnetarizmit dhe kujdesit. Në të njëjtën ditë, Shqipëria kremton edhe Ditën e saj Kombëtare të Nënë Terezës.
Kjo ditë shërben si një kujtesë e fuqishme e rëndësisë së veprimeve të vogla dhe aftësisë së tyre për të frymëzuar ndryshimin, duke i bërë jehonë fjalëve të Nënë Terezës: “Unë vetëm nuk mund ta ndryshoj botën, por mund të hedh një gur përtej ujërave për të krijuar shumë valëzime.
Today, the world celebrates International Day of Charity, paying tribute to Mother Teresa, the Albanian-born saint who devoted her life to easing the suffering of the poor through charity, volunteering, and caring. On the same day, Albania also observes its own National Day of… pic.twitter.com/4pu66OoWJg
— U.S. Embassy Tirana (@USEmbassyTirana) September 5, 2024
"Nënë Tereza është krenaria jonë kombëtare dhe simboli i jashtëzakonshëm i nënës shqiptare" - Kështu ka shkruar presidenti i Partisë së Lirisë Ilir Meta, në një postim të ndarë në rrjetet sociale në lidhje me shenjtërimin e Nënë Terezës.
Meta shton se festimi i kësaj dite, është një reflektim për rëndësinë e të jetuarit të veprës së saj duke ndjekur shembullin e dashurisë, solidaritetit dhe humanizmit.
Postimi i plotë:
Shën Nënë Tereza, krenaria jonë kombëtare dhe simboli i jashtëzakonshëm i nënës shqiptare, është një frymëzim që duhet të na shtyjë çdo ditë të bëjmë gjëra të vogla me dashuri të madhe.
Festimi i Shenjtërimit të Nënë Terezës nuk është vetëm një ditë kremtimi për shqiptarët, por edhe një reflektim për rëndësinë e të jetuarit të veprës së saj duke ndjekur shembullin e dashurisë në veprim, solidaritetit dhe humanizmit, për t’i shërbyer me përulësi dhe përkushtim kujtdo që ka më shumë nevojë.
Deputeti Tritan Shehu ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale lidhur me ditën e Shenjtërimit të Nënë Terezës, që e konsideron si figurën madhore të epokës sonë moderne kombëtare.
“Nënë Tereza edhe në ato vite të “Luftës së Ftohtë”, prag katastrofash, me filozofinë e saj, mesazhet që përcillte, dashurinë njerëzore e vetëmohimin në shërbim të njeriut, luajti një rol tejet të rëndësishme në rënien e komunizmit pa miliona të vrarë”, shkruan Shehu.
Edhe Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali uroi sot Ditën e Shenjtërimit të Nënë Terezës.
“Shenjtja jonë”, shkroi Spiropali në një postim në rrjetet sociale.
Spiropali ndau edhe një mesazh të Nënë Terezës: “Unë nuk lutem për sukses. Kërkoj plotësinë e besimit”.




