Sanremo '80 në Vlorë/ Yjet e muzikës italiane performojnë para pushuesve
Yjet e Muzikës italiane të viteve 80-të kanë ndezur atmosferën në Lungomare të Vlorës me këngët hite të Sanremos. Këngëtarët e njohur italianë premtuan se do të kthehen sërish në Vlorë, ndërsa ndjekës të shumtë italianë dhe turistë përjetuan një atmosferë të veçantë në këtë koncert.
Emrat më të njohur të muzikës italiane të viteve 80-te si Albano, Pupo, Marco Masini, Ricardo Fogli, Grupi Matia Bazar, Mieta, IVA Zaniçhi, Scialpi dhe Michele Zarrilo performuan për rreth katër orë në Lungomare të Vlorës për qytetarët vlonjatë dhe turistët e shumtë.
Këngët e fituara në Sanremo gjatë viteve kanë sjellë një atmosferë të veçantë në qytetin bregdetar dhe kanë theksuar lidhjen e fortë mes Vlorës, Shqipërisë dhe Italisë.
Këngëtarët e njohur italianë u ndjenë të surprizuar nga atmosfera e krijuar, duke premtuar të rikthehen në të ardhmen.
"Shiko se sa shumë njerëz janë këtu në Lungomare. Është një sukses i madh dhe iniciativë e Sinan Idrizit. Po mendoj seriozisht që të bëj një investim këtu në Vlorë sepse është një vend i zhvilluar dhe mund të shijoj jetën.
Më pëlqen shumë, është një atmosferë e bukur. Jemi vëllezër, jam i emocionuar. Është bukur të jesh këtu.
Është shumë ngrohtë sot, por është bukur të jesh këtu.
Kam qënë disa vite më parë. Është shumë bukur, do të vij që të bëj pushime këtu sepse nuk kam para që të blej një shtëpi," thanë ata.
Kjo mbrëmje e veçantë pati ndjekës të shumtë italianë që ndodheshin për pushime në Vlorë dhe që nuk kanë hezituar të përcjellin idhujt e tyre.
Kryetari i bashkisë, Ermal Dredha, e përshkroi këtë mbremje si një moment magjik dhe falenderoi biznesmenin Sinan Idrizi i cili ishte iniciatori i këtij koncerti duke shprehur dëshirën që këtë lloj aktivitetesh të jenë të shpeshta në Vlorë.
"Një mbrëmje magjike mund të them. Të gjithë plejadën e artistëve italianë që kanë lënë gjurmë e kanë bërë histori në artin italian dhe jo vetëm. Prandaj dua të bëj një mesazh falenderimi për sponsorin kryesor të këtij eventi që është z.Idrizi, presidenti i klubit Flamurtari. Jam shuëm mirënjohës dhe shpresoj të kemi koncerte të tilla sa më shumë pasi promovojmë Vlorën, pasi Vlora bën turizëm dhe turizmi nuk bëhet vetëm me shumë turistë por bëhet dhe me evente," tha ai.
Koncerti nisi rreth ores 21 dhe u ndoq nga një numër i madh pjesmarrësish ku morën emocione të vecaata nga kjo mbrëmje.

