Sand për Frederik Shopen, “poetin e pianos”, atë që ish mbrujtur prej dritës, jo prej kockash, prej vibrimesh, jo prej muskujsh

Sot, në ditëlindjen e kompozitorit të madh, le të rikthejmë zërin e asaj që e njohu në brendësi të shpirtit të tij, zërin e George Sand, për “poetin e pianos”.
“Shopeni është aq i dobët dhe i turpshëm,”, shkruan ajo, “saqë edhe përkulja e një gjetheje trëndafili mund ta lëndojë.”
Kjo nuk është vetëm metaforë, është diagnozë e një shpirti tepër të tejdukshëm për botën. Ai ishte ndërtuar prej dritës, jo prej kockash, prej vibrimesh, jo prej muskujsh. Çdo tingull i brendshëm e lëndonte, çdo zhvendosje e padukshme e ajrit i shkaktonte një jehonë të thellë.
Dhe megjithatë, ai e detyronte veten të qeshte. Qeshte me një përmbajtje që s’ishte gaz, por përpjekje për të mos u thyer. Pastaj ulej në piano dhe luante gjëra sublime, të sapolindura nga ethet e krijimit, ide të tmerrshme dhe të këputura, që, si pa dijeninë e tij, e kridhnin në terrorin e vetmisë, të trishtimit dhe të një frike pa emër.
Pikërisht në ato çaste, kur errësira e brendshme i rrëshqiste nëpër gishta, ai kompozoi faqet e shkurtra që me modesti i quajti Preludes. Ato 24 miniatura të përmbledhura në Op. 28. Ato janë univers i kondensuar. Janë kryevepra që nuk kërkojnë madhështi simfonike, sepse madhështia e tyre është përqendruar në disa masa muzike, në disa frymëmarrje të shkurtra të shpirtit.
Disa prej tyre sjellin ndër mend vegime murgjsh të vdekur, si hije që enden në korridoret e lagështa të manastirit ku jetonin në Majorka. Duket sikur fryma e gurëve, lagështia e mureve, era e kripur e detit, e ndiqnin nëpër tastierë.
Të tjerat janë melankolike dhe të ëmbla, të lindura jo nga vuajtja, por nga drita, nga e qeshura e fëmijëve nën dritare, nga tingujt e largët të kitarave, nga kënga e zogjve mbi gjethet e lagura, nga trëndafilat e zbehtë që lulëzonin mes dëborës.
Por edhe në dritë, ai mbante hijen me vete.
Ka preludë që janë të zymta, të brishta si qelqi, të bukura në mënyrë të padurueshme. I dëgjon dhe ndien se zemra preket me thikë të hollë. Është bukuri që nuk të ngushëllon, por të zhvesh.
“Ky Shopen është një engjëll,”, rrëfen Sand. Mirësia e tij, butësia, durimi, aq të thella sa bëhen shqetësuese. Ajo e ndiente se ai ishte “shumë i hollë, shumë i përsosur” për të zgjatur në këtë botë të ashpër. Një organizëm i përbërë nga nerva muzikorë, nga një ndjeshmëri e tejskajshme që jeta tokësore e gërryente pa mëshirë.
I sëmurë deri në ekstrem, në Majorka ai i luante muzikë që “mbante erë qielli”. Kjo është një nga metaforat më të bukura që mund t’i bëhet artit, muzikë që nuk është vetëm tingull, por atmosferë, frymë, qiellësi. Sand ishte mësuar ta shihte në qiell, aq sa jeta apo vdekja e tij i dukeshin të parëndësishme për të. Ai vetë, shkruan ajo, dukej i pavetëdijshëm për jetën siç e konceptojmë ne, sikur ekzistonte në një orbitë tjetër, në një planet ku dhimbja shndërrohej menjëherë në harmoni.
Dhe pastaj ajo bën një profeci, do të vijë dita kur muzika e tij do të orkestrohet, pa ndryshuar asgjë në partiturën e pianos, kur të gjithë do ta kuptojnë se ky gjeni, aq i gjerë, aq i ditur, që kishte asimiluar mjeshtrit më të mëdhenj, ruajti një individualitet edhe më të hollë se ai i Johann Sebastian Bach, më të fuqishëm se ai i Ludwig van Beethoven, më dramatik se ai i Carl Maria von Weber.
Kjo nuk është një krahasim për të zbehur gjigantët, është për të theksuar singularitetin e tij.
Shopeni nuk ngriti katedrale simfonike si Beethoveni, as nuk ndërtoi arkitekturë polifonike si Bachu, ai krijoi intimitetin absolut të shpirtit në tastierë. Ai e bëri pianon një organizëm që merr frymë, një zemër që dridhet, një qenie që qan pa zë.
Në ditëlindjen e tij, ne nuk përkujtojmë vetëm një kompozitor. Ne përkujtojmë brishtësinë që u bë forcë. Sëmundjen që u bë dritë. Vetminë që u shndërrua në univers.
Sepse Shopeni nuk ishte thjesht “poeti i pianos”. Ai ishte prova se ndjeshmëria, edhe kur duket si dobësi, mund të jetë forma më e lartë e fuqisë krijuese.
Përgatiti: Albert Vataj


