Rumi dhe krimbi i mëndafshit, mësimi i fshehur pas transformimit

Në udhën e jetës, secili prej nesh përballet me periudha errësire, me dhimbje që s’kuptohen dhe me pyetje që s’gjejnë përgjigje.
Këto çaste, që shpesh i quajmë fatkeqësi, në të vërtetë mund të jenë portat e fshehta të një shndërrimi të brendshëm.
Rumi, poeti i madh sufi dhe mësuesi i shpirtit, na mëson se brenda çdo errësire fshihet një dritë që pret të lindë, një dritë që buron nga durimi dhe besimi.
Një ditë, tregon ai, një vajzë e re i’u afrua me shpirt të trazuar e zemër të thyer. E lodhur nga vuajtjet dhe zhgënjimet, ajo i rrëfeu Rumiut se jeta i dukej një zinxhir mundimesh të pafundme, një udhëtim pa drejtim.
Rumiu e dëgjoi me butësinë që buron nga mirëkuptimi, pa gjykim, pa fjalë të nxituara. Pas një heshtjeje të gjatë, ai i tha:
“Shikoje krimbin e mëndafshit. Ai mbështillet vetë në fshikëzën e tij, në një errësirë të plotë, pa ditur se çfarë e pret. Ai nuk ankohet, nuk kundërshton. E pranon procesin, sepse natyra e tij e di se përmes asaj mbylljeje do të rilindë. Ai beson se errësira nuk është fundi, por fillimi i diçkaje që sytë ende s’e shohin.”
Vajza e dëgjoi e hutuar, ndërsa Rumiu vijoi:
“Kur koha të vijë, krimbi del nga fshikëza, i shndërruar në një flutur të bukur. Çfarë dukej si varr, bëhet djep. Ajo që dukej humbje, bëhet rilindje. Kështu është edhe me jetën tonë: vuajtja që na rrethon mund të jetë vetë udha drejt dritës, mësimi që na ndihmon të njohim thellësinë e qenies sonë.”
Rumi shpjegon se si krimbi nuk mund ta kuptojë transformimin e vet ndërsa ndodhet në errësirë; po ashtu edhe njeriu, në periudhat e vuajtjes, nuk arrin të shohë mrekullinë që po ngjizet brenda tij. Por, nëse kemi durim dhe besim, do të dalim prej errësirës më të fortë, më të mençur dhe më të ndriçuar.
Kjo metaforë e thjeshtë, e mbushur me urtësi mistike, na kujton se çdo fazë e dhimbshme mund të jetë një proces përgatitor për diçka më të madhe. Durimi bëhet krahë. Besimi, dritë. Dhe pranimi, një akt dashurie ndaj vetes dhe jetës.
Nganjëherë, s’duhet të përpiqemi ta kuptojmë gjithçka. Ka momente që kërkojnë jo mendje, por zemër; jo analizë, por pranueshmëri.
Mrekullia lind pikërisht kur ndalojmë së luftuari dhe lejojmë jetën të ndodhë përmes nesh, si një flutur që del nga heshtja e fshikëzës, si një rreze që shpërthen nga brendësia jonë për të qenë ne vetë.
Përgatiti: Albert Vataj


