Rrëfimi/ Imzot Arjan Doda i tregon Ramës momentin e afrimit me Zotin
Imzot Arjan Doda ishte i ftuari i Kryeministrit Edi Rama në episodin 15 të sezonit 2 të podkastit FLASIM, “Shkoni në paqe”.
Rama zhvilloi një bisedë të veçantë me Imzot Arjan Dodën, teksa ai i shpjegoi momentin e afrimit me Zotin.
Imzot Arjan Doda shpjegoi se vinte nga një brez që nuk e trashëgoi dimensionin e fesë në aspektin ritual, duke theksuar se figura kryesore e dimensionit të fesë për të ishte figura e gjyshes.
“Sepse realisht pa e kuptuar e shihja gjithmonë në lutje, me rruzaret në duar, që atëherë nuk lejoheshin, por gjyshi i kishte bërë rruzaret me farat e ullinjve, që të mund të lutej.
E shihja të fiksuar përballë një dritareje për më shumë se 30 minuta. Përbalë saj, ndoshta 300 metër larg, ishte një stallë që më pas u kthye në ofiçinë.
Për sytë e mi nuk ishte asgjë e jashtëzakonshme. Por më pas e kuptova. Aty kishte qenë një kishe, ku në të kishte qenë prifti, i Lumni sot, Don Shtjefën Kurti”, u shpreh Imzot Arjan Doda.
Dimension tjetër, tha ai, ishte dhe fakti që ishte lindur e rritur në Laç.
“Pranë shkollës sime kalonte rruga që të çon te Kisha e Shna Nojt. Në atë kohë ishte e pamundur të shkoje e ta vizitoje, pasi edhe ushtarët krijonin një brez për të penguar.
Por të martave, kur vinte treni i mëngjesit nga Shkodra, krijohej një karvan me nëna, me gra me fëmijë, shpesh të sëmurë, që shpeshherë ia dilnin të çanin kordonin e shpesh jo.
E kur s’ia dilnin na kërkonin ne fëmijëve që t’ua çonim letrat e shkruara me “njetin” lart te Kisha. Ne shpesh shkonim dhe u çonim lutjet. Isha në këtë labirinth që më pas e kuptova….”, rrëfen Imzot Arjan Doda.




