REPORTAZHI/ Histori mbi 1800-vjeçare në zemër të kryeqytetit, Mozaiku i Tiranës befasi për turistët e huaj

 REPORTAZHI/ Histori mbi 1800-vjeçare në zemër të

Mozaiku i Tiranës konsiderohet sot një nga pikat më interesante të trashëgimisë kulturore në kryeqytet dhe po bëhet gjithnjë e më i njohur edhe për turistët e huaj. Institucionet kulturore e kanë cilësuar tashmë si një destinacion të rëndësishëm kulturor dhe edukativ në kryeqytet.

Kostandin Budurushi, drejtor i Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Tiranë, tha për ATSH-në, se veçanërisht pas restaurimit dhe rikonstruksionit të plotë të sitit, ky mozaik është bërë shumë më i frekuentuar prej turistëve.

“Reagimi i vizitorëve është përgjithësisht shumë pozitiv, pasi shumë prej tyre befasohen që në zemër të Tiranës ndodhet një sit arkeologjik me histori mbi 1800-vjeçare. Vizitorët vlerësojnë veçanërisht mënyrën moderne të restaurimit dhe kombinimin e trashëgimisë antike me hapësirën muzeore bashkëkohore”, u shpreh kreu i DRTK Tiranë.

Budurushi tha se, pas restaurimit, vizitueshmëria është rritur ndjeshëm, me rreth 40% më shumë, krahasuar me vitet e mëparshme, duke e kthyer kështu objektin në një atraksion të pëlqyer për vizitorë vendas dhe të huaj.

Mozaiku i Tiranës vizitohet nga përafërsisht 15-20 turistë në ditë të kombësive të ndryshme, kryesisht Evropa dhe SHBA, që vijnë për t’u njohur me kulturën dhe historinë e vendit tonë, duke ndaluar kështu dhe në këtë atraksion kulturor.

Objekti frekuentohet si nga grupe të organizuara me guida turistike dhe nxënës, studentë, ashtu edhe nga vizitorë individualë që eksplorojnë trashëgiminë kulturore të qytetit.

Drejtori Budurushi tha se, në kuadër të Ditës së Muzeve, u zhvilluan aktivitete të veçanta të organizuara nga DRTK Tiranë në bashkëpunim me Muzeun Historik Kombëtar, me pjesëmarrjen e 70 nxënësve të shkollës “Faik Konica”, 100 nxënës të shkollës “Vasil Shanto” dhe të shkollës “Edith Durham”. Gjatë këtyre aktiviteteve, nxënësit morën pjesë në një guidë njohëse, duke eksploruar historinë dhe trashëgiminë kulturore në mënyrë interaktive. Ndërsa, përmes aktivitetit “Arkeologu i vogël” dhe aktiviteteve të tjera, fëmijët zhvilluan kreativitetin dhe imagjinatën duke bërë një ndërthurje të mësimit me argëtimin.

Aktivitete të këtij lloji do të ketë edhe më tej. Ditën e sotme, Mozaiku i Tiranës do të kthehet në një atraksion kulturor për të gjithë artdashësit nëpërmjet aktivitetit MUZ (Beautiful Minds of Albania), i cili do të zhvillohet në orën 19:30.

Drejtori i DRTK Tiranë shpjegon se, synimi është që në të ardhmen, hapësira e këtij siti arkeologjik të përdoret edhe si qendër edukative dhe inovacioni për fëmijët, me ekspozita, guida dhe aktivitete kulturore të organizuara.

Mozaiku i Tiranës aktualisht mund të vizitohet nga e hëna në të enjte, prej orës 08:00 – 16:00, ndërsa ditën e premte 08:00 – 14:00.

Mozaiku i Tiranës është Monument Kulture i Kategorisë I. Ai është pjesë e një vile romake që daton në shekullin III pas Krishtit. Gjatë punimeve për ndërtimin e një godine banimi në bllokun “Partizani”, në vitin 1972, u hasën rrënojat e kësaj ndërtese antike.

Restaurimi i fundit i tij, përfundoi një vit më parë dhe u konceptua në mënyrë të atillë për të përfshirë edhe një platformë që mundëson ekspozimin e mozaikëve të mbyllur të periudhës së antikitetit dhe antikitetit të vonë, të ruajtur në sitet tona më të rëndësishme si Apolonia, Butrinti, Bylis, Durrësi, Elbasani dhe shumë të tjera, duke qenë se ato qëndrojnë të mbuluar për t’u ruajtur nga faktorët e atmosferikë./ATSH/

EMISIONET