Pse imitonte Vincent van Gogh pikturat e Jean‑François Millet? A ishin vërtet kopjime apo, “përkthime” në një gjuhë tjetër ngjyrash?

Pse imitonte Vincent van Gogh pikturat e Jean‑François Millet? A ishin

Kopjimi ka qenë gjithmonë një ushtrim themelor në formimin e piktorëve. Në akademitë e artit ai konsiderohej një mënyrë për të depërtuar në sekretet e mjeshtërve, për të kuptuar strukturën e figurës, ritmin e kompozimit dhe ekonominë e penelatës. Van Gogh, ndonëse jashtë çdo formimi akademik, nuk e ndjeu kurrë këtë praktikë si një dobësi. Përkundrazi, ai e pranonte hapur me një sinqeritet të rrallë: “Unë mund t’ju siguroj se më intereson jashtëzakonisht shumë të bëj kopje”, i shkruante vëllait të tij, Theo.

Duhet mbajtur parasysh se Van Gogh nuk kishte kaluar përmes disiplinës së rreptë të akademive të pikturës. Ai e ndërtoi gjuhën e tij artistike në mënyrë autodidakte, përmes një procesi të lodhshëm eksperimentimi dhe ushtrimi të pandërprerë, ndoshta mund të ishte edhe ambicia për të arritur përsosmërinë përmes caqeve të së pamundurës, ato që e torturuan psikologjikisht dhe shpirtërisht mjeshtrin, tension dhe trysni që solli në artin bashkëkohor një penelat unike dhe një paletë të gjallë ngjyrash. 

Në këtë proces ai hasi veçanërisht vështirësi në trajtimin e figurës njerëzore në punë, në kapjen e ritmit të trupit, të peshës së gjestit dhe të përkuljes së muskujve që i përgjigjen punës së tokës. Pikërisht këtu ndërhyri modeli i Millet-it.

Piktori francez kishte ngritur një ikonografi të fuqishme të jetës fshatare, figura të përkulura mbi tokë, punëtorë të përkushtuar, të zhytur në ritmin e përjetshëm të mbjelljes dhe korrjes. Në pikturën e tij, fshatari nuk është një figurë anekdotike, por një simbol i lidhjes së njeriut me tokën. Ky vizion i thellë humanist e tërhoqi Van Gogh-un në mënyrë të jashtëzakonshme.

Dy veprat e paraqitura e bëjnë të dukshme këtë marrëdhënie.

Majtas është piktura e Millet-it, "Korrësi", The Sower (1853), një figurë monumentale e një fshatari që hedh farën mbi tokë.

Djathtas është interpretimi i Van Gogh-ut, The Sower, realizuar në Saint-Rémy në shtator të vitit 1889.

Ngjashmëria kompozicionale është e qartë. Figura e përkulur, ritmi diagonal i gjestit dhe hapësira e fushës. Por këtu përfundon edhe kopjimi i mirëfilltë. Në pikturën e Van Gogh-ut gjithçka shndërrohet. Drita bëhet më e fortë, ngjyra shpërthen në tonalitete të verdha dhe të arta, ndërsa penelata merr një energji pothuajse nervore.

Kjo është arsyeja pse Van Gogh nuk e quante këtë proces “kopjim”. Ai e përkufizonte si përkthim.

Në një nga letrat e tij ai shkruante se punimet pas Millet-it nuk janë “kopje të pastra dhe të thjeshta”, por “një përkthim në një gjuhë tjetër, në gjuhën e ngjyrës, të asaj që te Millet shfaqet në kiaroskuro dhe në bardh e zi.” Ndoshta kemi të bëjmë me një tjetër dinamizëm koloristik dhe përshkueshmëri më e thellë përmes trajtesës, dritë më vibrante dhe cytje ekspresioniste që del nga akademizmi i Millet.

Në këtë kuptim, Van Gogh nuk kërkonte të riprodhonte figurën e Millet-it, por të përthithte thelbin e saj dhe ta rimishëronte në universin e vet estetik, duke i dhënë një identitet më afër një gjendjeje që ngacmon për të parë përtej dhe kuptuar më në thelb subjektin. Tek Millet figura është e rëndë, tokësore dhe solemne; tek Van Gogh ajo bëhet ritëm, dritë dhe energji.

Edhe pse subjekti është huazuar, identiteti i piktorit nuk humbet. Përkundrazi, ai bëhet edhe më i dallueshëm. Van Gogh mbetet ndoshta një nga rastet më të rralla në historinë e artit ku penelata dhe paleta e ngjyrës janë aq të veçanta sa e bëjnë çdo tablo menjëherë të njohshme.

Gjatë qëndrimit në Saint-Rémy, në vitet 1889–1890, Van Gogh realizoi 21 piktura të frymëzuara nga veprat e Millet-it. Këto nuk ishin ushtrime mekanike, por një dialog i thellë artistik, një përpjekje për të bashkuar vizionin social të Millet-it me shpërthimin emocional të pikturës së tij.

Prandaj, pas më shumë se një shekulli, tabloja e Van Gogh-ut nuk shihet si një kopje. Ajo është një vepër më vete, një interpretim i ri i të njëjtit mit të përjetshëm të njeriut që mbjell jetën në tokë.

EMISIONET