Pse egoizmi, sipas Erich Fromm, është pamundësi për të dashuruar, si veten ashtu edhe të tjerët

Pse egoizmi, sipas Erich Fromm, është pamundësi për të

Në një botë që gjithnjë e më shumë i jep vlerë individualizmit, afirmimit personal dhe suksesit të matshëm, fjala “egoizëm” shpesh ngatërrohet me kujdesin ndaj vetes. Por Erich Fromm, në veprën e tij të ndriçuar “Njeriu për vete”, na mëson se egoizmi nuk është dashuri për veten, por shenjë e mungesës së saj.

Ne të gjithë jemi egoistë në një farë mase, por disa e kanë egoizmin të shndërruar në neurozë, një formë e sëmurë e vetëpërqendrimit, që vret aftësinë për dashuri, për lidhje, për jetë të vërtetë shpirtërore.

Fromm e sheh njeriun e shëndetshëm si atë që afirmon jetën përmes dashurisë, kujdesit, respektit, përgjegjësisë dhe njohjes. Këto janë rrënjët e lumturisë dhe lirisë, përballë të cilave egoisti mbetet i zbrazët, i frustruar, dhe i paaftë të ndjejë gëzimin që vjen nga dhënia.

Egoisti është, në thelb, një vrastar i vullnetit për të dashur.

Ai nuk gjen dot kënaqësi në ndarjen, në dhënien, në përfshirjen me të tjerët; e njeh lumturinë vetëm në marrje, në zotërim, në përvetësim. Botën rreth vetes e sheh si një treg ku çdo gjë dhe çdo njeri ka vlerë vetëm për aq sa i shërben interesit të tij.

Ai është i paaftë për dashuri, sepse dashuria kërkon shikim përtej vetes, aftësinë për të parë, për të dëgjuar, për të kujdesur.

Fromm shkruan se egoisti nuk e do veten tepër shumë, por tepër pak. Ai e urren veten në mënyrë të pavetëdijshme dhe përpiqet ta fshehë këtë boshllëk përmes egërsisë së dëshirave, lakmisë dhe mburrjes.

Mungesa e dashurisë për veten nuk është modesti, por joproduktivitet shpirtëror. Ajo e lë njeriun bosh, të etur për kënaqësi që nuk i plotësojnë, të shqetësuar për të marrë nga jeta atë që, në të vërtetë, e pengon vetë të ndodhë.

Fromm e kundërshton idenë e rreme se kujdesi për veten bie ndesh me dashurinë për të tjerët.

Në të vërtetë, thotë ai, këto dy forca janë të pandashme: vetëm ai që e do veten në mënyrë të shëndetshme, është në gjendje të dojë edhe të tjerët.

Egoisti, përkundrazi, është i ndarë nga vetvetja; dashuria e tij është narcisoide, e përqendruar në një imazh të deformuar të unit. Ai nuk e njeh veten e tij të vërtetë, prandaj nuk mund të njohë askënd tjetër.

Në këtë kuptim, egoizmi nuk është teprim dashurie për veten, por mungesë e saj, një përpjekje e dëshpëruar për kompensim, për të mbushur boshllëkun e brendshëm me gjëra, pushtet, vëmendje apo kontroll.

Në shoqërinë bashkëkohore, Fromm do ta quante egoizmin sëmundjen kolektive të epokës.

Në një botë ku çdo gjë matet me produktivitet dhe përfitim, ku marrëdhëniet janë zëvendësuar nga transaksionet, njeriu është bërë mall, dhe egoizmi, mënyra e tij për të mbijetuar.

Por ky mbijetesë është një formë varfërie shpirtërore, sepse e çliron njeriun nga ndjeshmëria, nga ndarja, nga lidhjet që japin kuptim jetës.

Për Fromm-in, zgjidhja qëndron në rilindjen e aftësisë për dashuri, dashuri për veten si mirëkuptim, jo si përkëdhelje; për të tjerët si përgjegjësi, jo si kontroll. Vetëm atëherë njeriu arrin të bëhet i lirë, sepse njeriu që dashuron është njeriu që jeton.

Në fund, ajo që Fromm na kujton është kjo: Egoisti nuk e ka problem botën, por veten. Ai kërkon dashuri, por nuk e njeh dot. Dhe derisa të arrijë ta pranojë, do të mbetet peng i pasurisë më të madhe që nuk ka, aftësisë për të dashur.

Përgatiti: Albert Vataj

EMISIONET