Përkujtohet Artan Lame / Njuma: Pa të vetëm fizikisht, ka qenë mes nesh me mallin që nuk fashitet...
Në një simpozium përkujtimor me rastin e 1-vjetorit të ndarjes nga jeta të Artan Lame, miq, kolegë dhe bashkëpunëtorë të tij sollën në vëmendje figurën e një njeriu të përkushtuar ndaj historisë dhe kujtesës shqiptare.
Beti Njuma, në fjalën e saj, theksoi pasionin e Lames për të dokumentuar dhe ringjallur të shkuarën përmes koleksioneve, shkrimeve dhe kërkimeve të tij të vazhdueshme. Sipas saj, trashëgimia e tij vijon të jetojë përmes botimeve dhe projekteve që ai la pas, duke e mbajtur gjallë “Shqipninë e harrueme” që ai kërkonte ta rikthente në kujtesën publike.
"Një vit që unë do të thoja ishte pa, por edhe me Tanin. Pa të vetëm fizikisht, sepse largimi i njerëzve të dashur nuk është kurrë një ikje e plotë dhe as e përhershme.
Tani ka qenë mes nesh, me mallin që nuk fashitet, në biseda, në kujtime, në punë të shumta të lëna përgjysmë, në ngjarje, në sende që kanë gjithmonë një histori dhe që lidhet me të.
Ai kishte një dhunti të rrallë, t'u jepte jetë gjërave, historive, fotografive të zverdhura, atyre uniformave që i kishte me aq shumicë në shtëpi, monedhave të vjetra gati-gati të ndryshkura, atyre kopsave që binin nga këto uniforma, e kartolinave të vjetra, e një emri që fshihej nga kujtesa, e gjërave që për shumicën mund të dukeshin thjesht rraqe, por që për të ishin pjesë e historisë shqiptare.
Ishin pjesë e asaj historie të gjymtuar, të deformuar dhe ende të patreguar sa dhe si duhet.
Vetë Tani ka shkruar diku se njeriu pa kujtesë është veç një gjallesë vegjetuese. Dhe ndoshta kjo fjali shpjegon më mirë se gjithçka atë pasion të çmendur për të zhbiriluar të shkuarën. Ka njerëz që merren me historinë për profesion, ka të tjerë që e përdorin atë për retorikë politike apo për fasadë patriotike.
Por Tani ishte nga ata të rrallët që jetonte me historinë si një formë kujtese, respekti por edhe detyrimi ndaj shoqërisë shqiptare edhe shqiptarëve. Jo më kot lodhej aq shumë për të na rrëfyer, shpjeguar dhe mësuar edhe detajet më të imta. E kishte këtë të mirë, e ndante çdo informacion, çdo zbulim me të tjerët.
Ai nuk e shite të shkuarën si diçka të vdekur, përkundrazi, e sillte në tryeza, në ekrane, në gazeta, në revista, madje edhe në rrjetet sociale, në debatet dhe në bisedat pafund që bënte me miqtë, por edhe me ata që nuk i njihte fare.
Niste një bisedë dhe mund të përfundonte edhe pas disa orësh. E tregonte gjithçka me pasion, me ironi, me një ironi që nuk ishte kurrë një ironi therëse, por ishte një ironi që gati-gati gjithmonë shkaktonte humor, edhe me zemërim kur duhej, por gjithmonë me shumë, me shumë dashuri. Dhe sot jemi mbledhur edhe për një arsye tjetër të bukur, sepse 'Shqipni e harrueme', rubrika e famshme që ai publikonte çdo javë tek revistat Klan dhe Mapo, është kthyer tashmë në një libër, në një vazhdim të atij vështrimi unik që Artani kishte mbi Shqipërinë.
Një Shqipëri e harruar, por jo e humbur, fatmirësisht edhe falë pasionit të njerëzve si Tani. Është një Shqipëri që ai e kërkonte në arkiva, në skuta, në fotografi, në kërkime të shumta që bënte falë pasionit të tij të madh si koleksionist, në kujtime, në rrëfimet e njerëzve. Në një kohë kur gjithçka harrohet shpejt, Artani ngulmonte të kujtonte, dhe për këtë jemi gjithmonë falënderues. Dhe ndoshta kjo është arsyeja pse ai vazhdon të jetë mes nesh, me gjithçka ka lënë pas.
Në koleksionet e tij të vyera për të cilat ankohej gjithmonë se nuk kishte më vend në shtëpi, në muzeun që ëndërronte të ngrinte, në shkrimet që kushedi edhe në sa libra të tjerë do të shndërrohen, në bisedat që vazhdojnë edhe sot sikur ai të hyjë nga momenti në moment tek ajo derë për të na shpjeguar një detaj, për të na shpjeguar një histori, një emër, një lidhje të cilën ne nuk e dimë dhe nuk kemi mundësi nga ta dimë, por ai arrinte gjithmonë t'i bënte lidhjet, apo me detajet e vogla në dukje të parëndësishme por që në fakt i japin kuptimin tërësor dhe njerëzor asaj historie shqiptare që ende vazhdon të jetë e cunguar dhe e patreguar.
Sot jemi këtu për të kujtuar Tanin, por edhe për t'u gëzuar bashkë me të. Unë e ndjej, besoj e ndjeni dhe ju, ai po na sheh nga lart.
E natyrshëm do të vazhdojë me ne atë bisedë që ka nisur prej kohësh për Shqipërinë", u shpreh Beti Njuma.
