Nxënësit e shkollave profesionale spektakël unik veshjesh frymëzuar nga xhubleta

Nxënës dhe mësues të shkollave profesionale nga Shkodra, Tirana dhe Elbasani, përmes përkushtimit dhe krijimtarisë sollën një spektakël unik veshjesh frymëzuar nga xhubleta, veshja e lashtë shqiptare e shpallur nga UNESCO si pjesë e trashëgimisë kulturore botërore.
Në aktivitetin përmbyllës, ku tradita u bë frymëzim dhe zanati u kthye në art, të rinjtë dëshmuan se aftësimi profesional është një rrugë e fortë drejt vetërealizimit dhe inovacionit kulturor.
Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe inovacionit shprehu mirënjohjen e veçantë për të gjithë nxënësit dhe mësuesit e shkollave profesionale nga Shkodra, Tirana dhe Elbasani.
Xhubleta, me formën e saj të veçantë që daton që nga epoka e bronzit, u bë pikënisja për interpretimet moderne të stilit dhe identitetit, një shembull i gjallë sesi trashëgimia jonë e pasur mund të jetojë nëpërmjet brezave të rinj.

MEKI falënderoi për organizimin e këtij aktiviteti fondacionin “TRE MARIAT”, Qendra Antropologjike XHUBLETA, AKPA – për koordinimin me shkollat profesionale, SDC/S4J – për mbështetjen dhe besimin e treguar, Drejtorinë e Pronësisë Industriale – për ndërgjegjësimin mbi mbrojtjen ligjore të krijimeve, Mësuesit dhe drejtuesit e shkollave, që i japin jetë dijes çdo ditë dhe Albanian Night – një shtëpi e madhe e artit dhe mikpritjes shqiptare.
Ky projekt është dëshmi se kur rinia, kultura dhe edukimi bashkëpunojnë, rrënjët dhe krahët ecin bashkë.
Xhubleta shqiptare katërmijëvjeçare u pranua në 28 nëntor 2022 në listën e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale nën mbrojtjen e UNESCO-s. Veshja simbol e trashëgimisë tonë është tashmë pasuri e gjithë njerëzimit.
Xhubleta njihet si veshje tradicionale e grave të Malësisë. Dosja e dijebërjes artizanale të xhubletës u dorëzua në UNESCO, për shkak se veshja tradicionale unike po rrezikonte të humbiste./ATSH


