“Nuk ishte “diktator”, ai qe kërkues” - Gëzim Kame: Anagnosti bëri punë të jashtëzakonshme, karakteret që ndërtoi janë legjendare
Në hollin e Teatrit të Operas dhe Baletit po zhvillohen sot homazhet në nderim të regjisorit të shquar Dhimitër Anagnosti, një prej themeluesve dhe figurave më të rëndësishme të kinemasë shqiptare.
Qytetarë të shumtë, kolegë, miq dhe personalitete nga fusha e artit, kulturës dhe jetës publike po i japin lamtumirën e fundit mjeshtrit të ekranit, i cili u nda nga jeta një ditë më parë, më 1 shtator.
Homazhet nisën në orën 10:00 dhe do të vijojnë deri në orën 13:00, pas së cilës trupi i tij do të përcillet për në banesën e fundit, në vendlindjen e tij në Vuno të Himarës.
Aktori dhe regjisori Gëzim Kame e vlerësoi punën e Dhimitër Anagnostit si të jashtëzakonshme. Në një prononcim për mediat pasi bëri homazhe, Kame tha se karakteret që ndërtoi Anagnosti ishin legjendare.
"Puna e tij si regjisor ishte e jashtëzakonshme. Karakteret në filmat e Anagnostit janë legjendare për filmin shqiptar. Do të mbahet mend si një nga kineastët më të mëdhenj. Kishte inteligjencë dhe kulturë të jashtëzakonshme. Duhet të mendoheshe kur të flisje me të. Nuk ishte “diktator”, ai që është kërkues. Është këmbëngulës për të gjetur të bukurën, të mirën, të mencurën e të drejtën.”, u shpreh ai.
2 SHTATORI, DITË ZIE KOMBËTARE
Këshilli i Ministrave ka vendosur të shpallë ditë zie kombëtare datën 2 shtator 2025 (sot), në nderim të të ndjerit Dhimitër Anagnosti, personalitet i shquar i kinematografisë shqiptare, mjeshtër i ekranit dhe i artit skenik, i cili la një trashëgimi të çmuar kulturore për brezat.
Dhimitër Anagnosti lindi më 23 janar 1936 në Vuno të Himarës. Studimet e larta i kreu në Institutin Kinematografik VGIK, Moskë (1954-1960), ku u diplomua për kinooperator. Me një karrierë mbi katër dekada, Anagnosti dha një kontribut të jashtëzakonshëm si regjisor, skenarist, shkrimtar dhe pedagog, duke lënë gjurmë të pashlyeshme në kinematografinë shqiptare.
Ai realizoi 14 filma artistikë dhe 10 dokumentarë, duke trajtuar tema të rëndësishme shoqërore, historike dhe psikologjike. Shumë prej skenarëve i hartoi vetë, duke dëshmuar një talent të gjithanshëm. Ndër veprat e tij më të njohura janë “Lulëkuqet mbi mure”, “Përrallë nga e kaluara”, “Kthimi i ushtrisë së vdekur”, “Gurët e shtëpisë sime” dhe “Gjoleka, djali i Abazit”, filmi me të cilin fitoi dy çmime ndërkombëtare në Itali.
Për krijimtarinë e tij, Anagnosti u nderua me një sërë çmimesh kombëtare e ndërkombëtare. Në vitin 2011 mori titullin e lartë “Nderi i Kombit” nga Presidenti i Republikës.
VIDEO - Ceremonia shtetërore dhe homazhet publike në nder të regjisorit të madh, Dhimitër Anagnosti



