"Një shekull me lind edhe një Paulin", Zyliha Miloti tregon pengun e aktorit, Çinari: E shpërbleu Italia në vend të Shqipërisë
Në lamtumirën e fundit me kolegun me të cilin ndanë jetën artistike, kolegët kanë shumë për të thënë për Paulin Prekën.
Partnerja e tij për 40 vite me radhë në skenë, Zyliha Miloti, thotë se Paulini kishte lindur me qenë artist i madh.
Preka i përket asaj plejade aktorësh për të cilin do duhet një shekull sipas saj të vijë një tjetër si ai.
Miloti: Partneri i 40 viteve me radhë, sot qyteti i Shkodër loces i jep lamtumirën e fundit artist të madh , personalitet të artit shqiptar Paulin Preka. Paulini kishte lindur me qenë artist i madh, i kompletuar në të gjitha drejtimet, jo vetëm aktor i humorit dhe komedisë, por aktor i mrekullueshëm në teatrin e dramës, artist i mrekulueshëm dhe në filmat shqiptarë, ka mbajtur gjallë estradën e Shkodrës me shkrimet e tij të mrekullueshme. Është një humbje e madhe.
Ka qenë një partner i mrekullueshëm, e kam për nder dhe jam shumë krenare që kam interpretuar përkrah këtij artisti të madh që mi ka shtuar shumë vlerat si artiste. Paulini përveç se një artist i përkryer i kushedi sa karaktereve dhe roleve i cili asnjëherë nuk i bëri njësoj dy role, Paulini ka qenë një mik i mirë, një shok besnik i mirë. Ooo sa fjalë kam me thënë për të. Na ka ik një artist i mrekullueshëm, duhen dekada ndoshta dhe një shekull me lind edhe njëherë një Paulin Prekë, që nuk e di a lind.
Recitalin e fundit, kolosi i humorit e kishte në 80-vjetorin e lindjes, 6 vite përpara se të ndërronte jetë, dhe Zyliha Miloti tregon pengun e aktorit.
Zyliha Miloti: Më vjen keq se ka lënë shumë materiale të shkruara dhe ka pas shumë dëshirë me ardh dhe me bë dhe një shfaqje. Në 80-vjetorin e ditëlindjes bëri recital, ishte pak i lodhur. Megjithatë kishte dëshirë me bo dhe një shfaqje tjetër, materialet janë në familjen e Paulinit, sigurisht që do ti sjellin këtu me përjetësu dhe njëherë babën e vet.
Ndërsa Besnik Çinari shpreh brengën që ai nuk u vlerësuan sa duhet nga shteti shqiptar.
Besnik Çinari: Kur vdes një humorist nuk duhet me qa shumë. Ja ka shpërbly Italia me pagë në vend se me ja shpërbly Shqipëria.

