Një gjyq i fotografisë së gjyqeve, ekspozita e Marubit

Funddhjetori i vitit 1947-ës i gjente të ekzektuar një pjesë të grupit të deputetëve ndërsa të tjerët në proces gjyqësor.
76 vite më pas, Muzeu Kombëtar i Fotografisë Marubi në bashkëpunim me Agjencinë Telegrafike shqiptare, ka çelur ekspozitën “Gjyqet”.
Ekspozita përdor nga ATSH-ja vetëm imazhet fotografike të një periudhe dhe procesi të posaçëm, duke u mbështetur në një paradoks që flet sa për një kohë të caktuar, aq edhe për fotografinë.
Është zgjedhur një periudhë politike (1945-1961), kohë kur diktatura shfaqte hapur qëndrimin e saj agresiv e kërcënues kundrejt personave që kishin një qëndrim ndryshe, duke mbjellë një ndjenjë frike e pasigurie ndaj njerëzve dhe duke rritur pacënueshmërinë e plotfuqinë e saj.
Sot, ky akt regjistrimi fotografik, megjithëse këndi i pamjes mund të ketë qenë vendosë nga direktiva e regjimit, na tregon padyshim edhe një pikëpamje tjetër: nxjerrjen në pah të diçkaje që nuk kishte ndërmend të shfaqte; një gjyq të fotografisë se gjyqeve.
Përzgjedhja e imazheve vjen si një hulumtim nga kuratorët Zef Paci, Luçjan Bedeni dhe Lek M. Gjeloshi. Imazhet na tregojnë se edhe dënimet më të pamëshirshme, u kryen në mjedise ku parësor ishte spektakli e fiksioni- në salla kineoteatrosh.
Direktiva që shpërfaq publikisht me arrogancë ritin e e vënies së drejtësisë komuniste, kthehej shpesh në një spektakël ankthi.
Fotografitë karakterizohen nga i njëjti kënd, i njëjti ndriçim, dhe e njëjta rekuzitë që përjeton farsën e një drejtësie farsë.



