Një nga perlat e arkitekturës bizantine në Shqipëri, Ora Verore në Manastirin e Shën Kollit

Në jug të fshatit Mesopotam në rrethin e Sarandës, fare pranë qytetit antik të Finiqit mund të vizitoni një nga perlat e arkitekturës bizantine në Shqipëri.

Manastiri i Shën Kollit që njihet ndryshe edhe si Manastiri i Mesopotamit ka ruajtur më së miri gjurmë të rralla të trashëgimisë kulturore qindravjeçare.

Ora Verore u ndal këtë premte për ta parë nga afër këtë Manastir. Arkeologu, Genc Kaçi,tregon se Manastiri ka shërbyer për dy besimet, ortodoksët dhe katolikët.

Kisha mendohet se është ndërtuar në kohën e perandorit bizantin Kostandin Monomaku në shekullin e 11-të.

Objekti është tipik bizantin me strukturë mahnitëse që rrethohet nga rrënoja origjinale të mureve të dikurshme. Drita e diellit që depërton nga dritaret i skalit më shumë zbukurimet floreale në muret dhe kolonat e brendshme.

Harqet që ndajnë dhomat e manastirit dhe muratura e jashtme e ndërtuar me tullë e vendos Kishën e Shën Kollit në listën e objekteve të rralla.

Katër çati në formë rrethore mbështeten tek njëra-tjetra dhe mbajnë hyrjen në portikun e kishës. Oborri i manastirit rrethohet nga hija e ullinjve dhe qiparisave qindra vjeçarë.

"Ky manastir është nga më të vizituarit në rajonin tonë sepse është afër rrugës kryesore. Pati një periudhë ndërprerje prej 7-8 vjetësh sepse i është nënshtruar tre fazave restaurimi. Po bën 5 vjet që është hapur dhe është një nga pjesët kryesore të itinerareve turistike që bëjnë të gjithë shoqëritë turistike. Hyrja është pa biletë. Është një numër vizitorësh që rritet vit pas viti" thotë Kaçi.

EMISIONET