Ndarja nga jeta e Artur Zhejit, nesër homazhet për gazetarin dhe publicisti e ndjerë në Universitetin e Arteve të Bukura

Nesër, më 25 gusht 2025, do të zhvillohen homazhe për gazetarin dhe publicistin e njohur Artur Zheji, i cili u nda papritur nga jeta më 23 gusht në Sarandë, dyshohet si pasojë e një arresti kardiak.

Homazhet do të zhvillohen nga ora 10:00 deri në 14:00 në ambientet e Universitetit të Arteve të Bukura, duke ofruar mundësinë për miqtë, kolegët dhe qytetarët që ta nderojnë kujtimin e tij.

Artur Zheji njihej si një nga figurat më të respektuara në gazetari dhe publicistikë, me një karrierë të gjatë dhe ndikim në mediat shqiptare.

SHUARJA E ZHEJIT

Ndarja nga jeta e Artur Zhejit, nesër homazhet për gazetarin dhe

Gazetari, analisti dhe publicisti, Artur Zheji u nda pasditen e djeshme nga jeta në moshën 64-vjeçare.

Ai ka ndërruar jetë në qytetin e Sarandës, ku ndodhej për pushime së bashku me familjen.

Policia e Shtetit në njoftimin zyrtar bëri me dije se: “Sot (dje), rreth orës 16:10, në afërsi të rrugës “Butrinti”, shtetasi A. Zh., 64 vjeç, banues në Tiranë, dyshohet se ka shfaqur probleme shëndetësore gjatë qëndrimit në një restorant dhe gjatë transportit drejt spitalit me autoambulancë, ka ndërruar jetë”.

Me një karrierë të gjatë në media, Zheji u bë një nga zërat dhe penat më të spikatur të gazetarisë dhe debatit publik në Shqipëri. Ai ka shërbyer në funksione drejtuese në disa media, në Radio Televizionin Shqiptar dhe Agjencinë Telegrafike Shqiptare (ATSH).

Për vite me radhë, Zheji do të jepte kontributin e tij si analist, drejtues i emisionit "360 Gradë" në "Ora News" dhe jo vetëm, por edhe si editorialist dhe komentues politik, duke lënë gjurmë në mendimin mediatik shqiptar.

I lindur më 29 gusht 1961, Artur Zheji ishte i biri i euriditit të njohur shqiptar Petro Zhejit dhe aktores së njohur shqiptare Besa Imamit.

Zheji u diplomua për regjisor në Institutin e Lartë të Arteve, ku spikati dhe la gjurmën e tij në dramaturgjinë shqiptare. Në skenën e Teatrit Kombëtar, u vendos në skenë drama e tij “Raimonda”, përgjatë kohës së diplomimit.

Pas diplomimit, Zheji u zhvendos në Itali ku qëndroi për rreth 10 vite. Aty, ai punoi në “Radio Radicale” si specialist i çështjeve të Evropës dhe Ballkanit, përgjatë kohës së luftës së Kosovës, duke u bërë kështu dhe një zë i rëndësishëm i shqiptarëve në arenën ndërkombëtare.

Që prej vitit 2017, ai ishte drejtues i emisionit politik dhe analitik 360 Gradë.

Zheji la pas dy vajza dhe një djalë, së bashku me bashkëshorten e tij. Humbja e tij e papritur ka tronditur jo vetëm familjen, por edhe kolegët dhe opinionin publik, të cilët e shihnin si një figurë me integritet dhe profesionalizëm të lartë. Vdekja e tij është një humbje e madhe për gazetarinë, analizën politike dhe median shqiptare në përgjithësi.

REAGIMET

Kreu i PD, Sali Berisha shkruan: “Homazh për Artur Zhejin! Miq, gazeteri, analisti, botuesi, publicisti i mirënjohur Artur Zheji mbylli sot, papritmas dhe parakohe, sytë përgjithmonë. Duke shprehur ngushëllimet e mia më të ndjera familjes, miqve të afërmëve, unë lutem së bashku me ta që shpirti i Arturit të tyre të dashur të gjejë paqen e merituar. Amin”.

Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit shkruan në një reagim në rrjetet sociale se “Lajm i hidhur i ndarjes nga jeta të gazetarit, publicistit dhe analistit të njohur Artur Zheji (1961–2025)! Zheji u shqua për kontributin e tij në fushën e medias dhe publicistikës, si dhe në artin skenik, ku ka lënë gjurmë si regjisor dhe autor i veprave artistike.Trashëgimia e tij profesionale mbetet pjesë e historisë së gazetarisë dhe kulturës shqiptare. Ngushëllime familjes, kolegëve dhe komunitetit mediak”.

Teatri Kombëtar shprehu dhimbjen për ndarjen nga jeta të Artur Zhejit, i cili jo vetëm si gazetar, por edhe publicist dhe dramaturg ka lënë gjurmë në skenën teatrore shqiptare.

“Në krijimtarinë e tij, fjala u bë reflektim i kohës dhe i shoqërisë, duke pasuruar jo vetëm medien dhe debatin publik, por edhe skenën tonë kombëtare. Kujtimi i tij do të mbetet i gjallë në historinë e artit dhe kulturës sonë. Ngushëllime të sinqerta familjes, miqve dhe gjithë komunitetit artistik”, thuhet në mesazhin e Teatrit Kombëtar.

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë shkruan se “gazetari Zheji do të mbetet në kujtesën e publikut për stilin e vet oratorik, pasurinë shprehëse që mbartte, për forcën verbale të polemikës dhe sidomos për integritetin dhe ndjeshmërinë e lartë në mbrojtje dhe shprehjen krenare të identitetit të vet kombëtar shqiotar.

Fjala dhe qëndrimet e analistit Artur Zheji, përbënin një pikë reference për shumë kolegë të huaj që ndjekin dhe merren me problematikat shqiptare në rajon”.

“Gjuha dhe aftësia shkrimore e Artur Zhejit përbëjnë një kuotë standarti, cilësie dhe intelektualizmi në mediumet tona, deri më sot.

Ndalja e papritur e jetës së tij krijon një ndërprerje të ndieshme në fjalën dhe shfaqjen mediatike, në gamën e analizës politike dhe debatit sociopolitik shqiptar si dhe në rrafshin e polemikës apo diskutimit të çështjeve historike dhe identitare me kolegë, media të rajonit dhe të huaja në përgjithësi.Ndarja e papritur nga jeta e Artur Zhejit është një akt pikëllimi për shumëkënd që e ka njohur, që e ka përcjellë apo që e ka ditur se nga vinte dhe çfarë përfaqësonte. U prehsh në paqe kolegu dhe miku ynë Zheji! Ngushëllime familjes!I paharrueshëm je”, shprehet Unioni i Gazetarëve Shqiptarë.

Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë ka shprehur ngushëllime pas ndarjes së parakohshme nga jeta të gazetarit dhe publicistit të njohur, Artur Zheji.

“Me një karrierë të gjatë dhe të pasur në fushën e publicistikës dhe medias, Zheji u shqua si një nga personalitetet më të respektuar të gazetarisë shqiptare, duke lënë gjurmë të pashlyeshme me analizat, shkrimet dhe kontributin e tij në zhvillimin e mendimit kritik e profesional në vend. Në këtë moment të dhimbshëm, Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes, të afërmve, kolegëve dhe miqve të tij, duke ndarë me ta dhimbjen për humbjen e një personaliteti të rrallë të medias shqiptare”, thuhet në mesazh.

EMISIONET