Mbretëresha Qiellore: Papa Leoni XIV kërkon paqe për Gazën, Mianmarin e Ukrainën

Nën mbrojtjen e Zojës së Këshillit të Mirë, Pajtores së shqiptarëve, fugurja e së cilës ndodhej sot në altarin e kremtimit të meshës për fillimin e shërbesës së tij papnore, Ati i Shenjtë Leoni XIV bëri thirrje për paqen në botë, kujtoi Papën Françesku, përmendi të lumin e ri që shpall në Francë, si edhe përshëndeti shtegtarët e ardhur në Romë me rastin e Jubileut të Vëllazërive fetare, që përfundoi sot.
Në përfundim të Meshës për fillimin e papnisë, Leoni XIV tha lutjen mariane të Mbretëreshës Qiellore bashkë me të pranishmit në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan e përreth tij, më se 200 mijë vetë, të cilët i falënderoi nga zemra, përfshirë edhe shtegtarët e ardhur në Romë me rastin e Jubileut të Vëllazërive fetare, që përfundoi sot. E më pas, Papa nuk harroi popujt, që vuajnë, për shkak të luftës.
“Në Gaza, fëmijët, familjet dhe të moshuarit e mbijetuar po vdesin urie. Në Mianmar, armiqësitë e reja kanë marrë jetë të rinjsh të pafajshëm. Ukraina e martirizuar, më në fund, pret bisedimet për një paqe të drejtë dhe afatgjatë”.
Të gjitha këto probleme botërore, por edhe shërbimin e tij si Ipeshkëv i Romës e Bari i Kishës Universale, Papa Leoni XIV ia besoi Zojës, në veçanti, Nënës së Këshillit të Mirë, Pajtores së shqiptarëve, fugurja e së cilës ndodhej sot në altar. Asaj i kërkoi ndërmjetësim për paqe, për të mbështetur të vuajturit e hirin për të qenë të gjithë dëshmitarë të Krishtit të Ringjallur.

