Margariti lë kulturën të rrënohet/ Kisha e Shën Mërisë në Barmash të Kolonjës është drejt zhdukjes
Monumentet e Kulturës në Shqipëri vijojnë të degradojnë, ndërsa institucionet po i lënë ato në harresë.
Kisha e Shën Mërisë në Barmash të Kolonjës është drejt zhdukjes, ndërsa apelohet një ndërhyrje urgjente.
Edhe pse monument kulture i kategorisë së parë, Kisha e Shën Mërisë në Barmash të Kolonjës është drejt zhdukjes.
Pasi i janë rrëzuar muret në shkurt të këtij vitit Kisha vijon të degradohet.
Askush nuk ka vënë dorë në të, ndërsa Ministria e Kulturës hesht.
Faktin e degradimit të Monumentit të Kulturës e pranon edhe drejtori i drejtorisë rajonale të cultures në qarkun e Korçës, Gjergji Koki.
“Në fakt është një nga objektet tona më të riskuara që kemi në listën tonë të riskut dhe për fat të keq ende nuk është bërë e mundur që të kemi një mundësi për të bërë restaurimin e saj dhe për të konserbuar gjendjen e saj.”
Vlera për restaurimin e plot të kësaj kishe është tejet e madhe, e një nga zgjidhjet mund të jetë dhe bashkëpunimi me pushtetin lokal dhe donatorët e ndryshëm.
“Ka një koston shumë të lartë për ta përballuar sa i përket ndërhyrjes, është një kosto që i tejkalon të gjitha mundësitë financiare që ka pasur në këto vite buxheti i shtetit. Shpresoj që brenda këtij viti ne të gjejmë mundësitë. Së bashku po mundohemi që ta bëjmë restaurimin dhe me biznese e donatorë të zonës.”
Kisha e Shën Mërisë mbart brenda saj ikona dhe piktura murale të një vlere te larte kulturore, të cilat rrezikohen të zhduken në rast se pushteti qendror nuk ndërhyn në konservimin e gjendjes aktuale të saj.


