Mali që duhet ngjitur, nga vetësabotimi te vetëkontrolli përmes vetëbesimit

A jeni ndjerë ndonjëherë sikur fati ju ka dënuar të ngjitni një mal të pafund për të arritur qëllimet tuaja? Një masiv kaq të lartë dhe të pjerrët, saqë vetë ideja e lartësisë ju shkakton marramendje? Shpesh, në heshtjen e vetmisë sonë, kuptojmë një të vërtetë tronditëse, atë mal nuk e ka vendosur aty rastësia. Ne kemi qenë arkitektët e tij. E kemi ngritur gur pas guri me frikërat tona, me pasiguritë që ushqejmë çdo ditë, me hezitimet kronike dhe gabimet që nuk ia falim vetes. Papritur, ai që dikur ishte thjesht një shqetësim i vogël, është shndërruar në një pengesë që duhet mposhtur me çdo kusht.
Por, si mund të ngjitet një mal kur mjetet na mungojnë dhe fryma na merret sapo hedhim hapin e parë?
Përgjigjen e gjejmë te "Ti je mali: Transformimi i vetësabotimit në vetëkontroll", vepra monumentale e Brianna Wiest. Autore, poete dhe gazetare, Wiest ka arritur të prekë telat më të ndjeshëm të miliona lexuesve, duke ofruar një hartë të detajuar të inteligjencës emocionale dhe spiritualitetit modern.
Paradoksi i Malit, sintetizohet te pengesa është rruga.
Wiest na kujton se mali nuk është diçka e jashtme. Një nga pasazhet më goditëse të librit thotë:
"Mali që qëndron para teje është grumbullimi i viteve të tëra të vetësabotimit, frikës dhe zakoneve të dëmshme. Por ai nuk është aty për të të bllokuar rrugën; ai është aty për të të detyruar të bëhesh njeriu që duhet të jesh, në mënyrë që ta kalosh atë."
Autoria na shoqëron në këtë ngjitje drejt majës së vetëdijes, duke na mësuar se sekretet e suksesit nuk fshihen në hapa gjigandë, por në mikro-ndryshime: Identifikimi i vetësabotimit: Të kuptosh pse e pengon veten pikërisht atëherë kur je afër fitores.
Të dëgjosh nevojat e trupit dhe mendjes pa i gjykuar ato.
Të lësh pas gabimet e së shkuarës si lëkurë të vjetër që nuk të shërben më.
Ky libër është një ftesë për të mos u dorëzuar, një manual për të trajnuar elasticitetin shpirtëror. Wiest na bën të kuptojmë se mali nuk është një ndëshkim, por një mundësi lartësimi. Në këtë përleshje me relievin e thepisur të jetës sonë, ne në fakt ndeshemi me versionin tonë më të dobët për t’i bërë vend versionit më të mirë.
Siç shkruan Wiest: "Nuk është mali ai që zotërojmë, por vetja jonë. Maja nuk është një vend ku mbërrijmë, por një mënyrë e re e të parit të botës."
Ndryshe nga shumë libra që mbeten në sferën e ideve abstrakte, "Ti je mali" është një udhërrëfyes praktik. Çdo kapitull është një stacion ku ofrohen ushtrime dhe zakone të reja. Autoria trajton tema si ndryshimi, e ardhmja dhe vetë-shërimi me një vizion holistik, duke mos u ndalur te plaga, por te mënyra se si ajo mbyllet. Ajo nuk gjykon hezitimet tona; ajo i ndriçon ato, duke na dhënë guximin t’i shohim si pjesë të rrugëtimit tonë drejt dritës.
Në fund të fundit, ngjitja e malit që kemi ngritur vetë është akti më i lartë i dashurisë për veten. Është momenti kur kuptojmë se jemi mjaftueshëm të fortë për të pushtuar çdo lartësi që dikur na tmerronte.
Përgatiti: Albert Vataj


