Kinemaja spanjolle në kryeqytet, “En los márgenes” në Qendrën e Artit “Agimi”

Në Qendrën e Artit “Agimi” nisi mbrëmë shfaqja e filmave spanjollë, në kuadër të Javës Kulturore Spanjolle e cila po zhvillohet në kryeqytet.
Filmi “En los márgenes” i cili çeli këtë aktivitet solli një udhëtim të fuqishëm emocional.
Regjisori Juan Diego Botto shpalosi me ndjeshmëri dhe thellësi pasojat e krizës ekonomike në jetën e përditshme të njerëzve të zakonshëm. Filmi ndjek historitë e tre personazheve që përballen me sfida të mëdha, duke u përpjekur të mbijetojnë në një botë të mbushur me tension, pasiguri dhe shpresë.

“En los márgenes” ishte një moment i veçantë që solli publikun më afër realitetit të përditshëm të tyre, përmes artit të kinemasë spanjolle.
Shfaqjet e filmave do të vazhdojnë sonte e nesër, duke i dhënë publikut kryeqytetas mundësinë të shohë histori të jashtëzakonshme e të përjetojë emocione të forta nga kineastët spanjollë.
Sot në Qendrën e Artit “Agimi” do të shfaqet filmi “Cien años de perdón”, një thriller i mbushur me emocion dhe intrigë. Ndërsa nesër (6 tetor) do të shfaqet filmi “Ventajas de viajar en tren”, një rrëfim i lehtë dhe emocionues, që eksploron marrëdhëniet njerëzore dhe momentet e papritura të jetës.


