IN MEMORIAM/ Pashk Gjeçi, përkthyesi i shquar që solli në shqip kryeveprat e Dantes dhe Homerit

IN MEMORIAM/ Pashk Gjeçi, përkthyesi i shquar që solli në

Më 20 janar të vitit 2010 u nda nga jeta Pashk Gjeçi, përkthyesi i paarritshëm i kryeveprave të letërsisë botërore në gjuhën shqipe.

Ai përktheu kryevepra si “Komedia Hyjnore” e Dantes, por ishte gjithashtu një figurë e shquar e letrave shqipe edhe me shkrime bashkëkohore të tijat.

Pashk Gjeçi lindi në Shkodër në 7 shtator 1918. Studioi në shkollën e jezuitëve si dhe Gjimnazin Jezuit në Shkodër. Fillimisht mësoi mirë italisht e më pas në gjimnaz, mësoi greqishten e vjetër dhe latinishten, gjuhë nga të cilat përktheu mrekullitë e letërsisë botërore në shqip.

Që në moshën 16-vjeçare, Pashk Gjeçi përktheu poezitë e poetit italian Xhakomo Leopardi. Në vitin 1938, me gjysmë burse të siguruar nga qeveria e asaj kohe, regjistrohet në Fakultetin e Letërsisë dhe Filozofisë në Romë. Pashku kujtonte gjithnjë me kënaqësi leksionet e prof. Ernest Koliqit, edhe pse shoqërimi me të do t’i kushtonte 5 vjet burg nga regjimi komunist. Më 15 korrik të viti 1942 diplomohet Doktor në Letërsi.

Pas kthimit në atdhe, më 4 shtator 1947 ndalohet me akuzën “pjesëmarrje në grup kundër pushtetit”. Pas lirimit nga burgu, regjimi komunist e transferoi në Fushë-Krujë, ku punoi shumë gjatë për përkthimin e kryeveprës “Komedia Hyjnore”, një përshkrim i udhëtimit fantastik të Dantes nëpër tri mbretëritë e përjetshme: Ferrit, Purgatorit dhe Parajsës. Në vitin 1960 u botua pjesa e parë e Komedisë, “Ferri”. Veprës nuk iu bë ndonjë jehonë e madhe në atë kohë, por ish-drejtori i shtëpisë botuese, Nasho Jorgaqi, u shpreh se një shqipërim të tillë mund ta bënte vetëm Pashk Gjeçi.

Menjëherë pas botimit të “Komedisë Hyjnore” të Dantes, nisi të përkthente “Odisenë” e Homerit, një punë që e përfundoi me sukses. Por, një tjetër kulm për përkthyesin ishin edhe “Fausti” i Gëtes e “Hamleti” i Shekspirit.

Gjithashtu, Pashk Gjeçi ka sjellë në shqip mrekullitë e greqishtes së vjetër.

EMISIONET