“Illyrian Grill House“ – vend kulture dhe promovimi

“Illyrian Grill House“ – vend kulture dhe promovimi

Nga Prof. Dr. Fatmir Terziu

Në diasporë, ka vende që nuk shërbejnë vetëm ushqim, por krijojnë hapësira ku fjala, mendimi dhe kultura gjejnë strehë. „Illyrian Grill House“ e drejtuar me përkushtim dhe vizion nga biznesmeni Mentor Bokçiu është një prej tyre. Në këtë ambient të njohur të komunitetit shqiptar në Londër, ku mikpritja dhe identiteti kombëtar ecin krah për krah, u zhvillua promovimi i romanit “Mëkati i Virgjëreshës” të autorit Ardi Omeri, ku pata kënaqësinë të jem i ftuar.

Aktiviteti mblodhi rreth vetes personalitete të njohura të komunitetit shqiptar në Mbretërinë e Bashkuar, mes tyre shkrimtarë, gazetarë dhe artistë që me punën e tyre kanë kontribuar ndjeshëm në ruajtjen dhe promovimin e kulturës sonë kombëtare në diasporë.

U dalluan veçanërisht prania e Prof. Dr. Fatmir Terziut, Abedin Bajraktarit, Tomor Kokonës, Sami Islamit, Anila Gremit, Djana Koçias, Emiljana Kralit, Merita Isufit, Ermal Fegajt, Kujtim Vanit, si dhe e shumë të tjerëve që e nderuan mbrëmjen me pjesëmarrjen e tyre.

Emiljana Krali, e cila e udhëhoqi mbrëmjen në mënyrë dinamike, e ktheu atë në një bashkëbisedim të hapur mbi letërsinë, procesin krijues dhe rolin e shkrimtarit shqiptar në kushtet e emigracionit.

Gjatë diskutimeve, të pranishmit vlerësuan punën e autorit Ardi Omeri, por edhe tematikën e tij të ndjeshme që pasqyron realitete sociale dhe psikologjike të kohës, duke folur për romanin “Mëkati i Virgjëreshës” si një prurje narrative në letërsinë shqipe.

Që në hyrje, kjo mbrëmje dëshmoi se kur kultura gjen hapësirën e duhur, ajo bëhet urë lidhëse mes njerëzve, brezave dhe identitetit, një mision që „Illyrian Grill House“ po e përmbush me dinjitet në zemër të Londrës.

EMISIONET