Atentati që tronditi botën 42 vite më parë, turku Mehmet Ali Agça qëllon në Sheshin e Shën Pjetrit dhe plagos rëndë, Papa Gjon Pali II
Ata ishin krismat që u dëgjuan në të katër anët e botës. Më shumë se një atentat ishte një ngulm për ta futur njerëzimin në një erë të re. U nis si një ngjarje e madhe, por shpirti i epërm i kristianizmit e shndërroi atë në një gjest të hyjshëm faljeje. Doli nga thellë lartësia e qiejve të besimit ky shpirt që i blatohet çfarë Jezusi tha në Kryq: “Fali o Zot se s’dinë ç’faarë bëjnë”. Dhe Zoti e vuri në sprovë besimin, siç yshtri në tundim shpirtin e trazuar. Plumbat plagosën një Papë, zbritën në duart e plakura qiellin e një faljeje, duke vrarë çdo mosbesim.
Sot 42 vite më parë, më 13 maj 1981, Papa Gjon Pali II qëllohet dhe plagoset rëndë nga një turk i arratisur nga burgu, i quajtur, Mehmet Ali Agça, në Sheshin e Shën Pjetrit, Vatikan. Motivet e vërteta për të vrarë kreun e Kishës Katolike Romake edhe sot vazhdojnë të mbeten enigmë. Sepse, ndoshta, pikërisht ky mister e shndërron gjithë këtë skenë në një kulmim pështjellimesh, që këtë tragjizëm trazimtar dhe këtë qëllimsi ogurzezë ta mbajë të tashëm si kërcënim në çdo kohë.
Pasi u shërua nga plagët e marra në këtë atentat, Papa e vizitoi atentatorin, Mehmet Agçan në burg dhe i ofroi falje, një gjest ky që rrëzoi çdo dashakeqësi të ngatërrese ndërfetare që u projektua. Dora e faljes së Papës ishte një bekim. Ne jemi të gjithë bijtë e Krijuesit dhe bashkëjetesa e harmonishme është një shpërblim, edhe për fajtorët, dhe Papa bëri atë që botën mbushi me shpresë.
Gjatë procesit të hetimeve, Agça çoi në arrestimin e tre bullgarëve dhe tre turqve, të cilët dolën në gjyq në vitin 1985. Agça ishte dëshmitar kyç i shtetit. Në gjyq, ai e përshkroi veten si Jezu Krisht, parashikoi fundin e shpejtë të botës dhe e shpjegoi skenarin bullgar të atentatit, si të sajuar nga zbulimet perëndimore. Agça tha se Perëndia e kishte udhëhequr për të kryer atentatin. Ai e lidhi sulmin me Sekretin e tretë të Fatimës; tre mesazhet profetike, sipas traditës katolike, që Madona, Virgjëresha Mari, ua tregoi tre fëmijëve baresha portugeze, të cilave iu shfaq në vitin 1917.
Mesazhi i parë thuhet se parashikoi Luftën e Dytë Botërore. Mesazhi i dytë lidhej me rritjen a zgjerimin e Rusisë (Bashkim Sovjetik). Dhe sekreti i tretë, i zbuluar nga këshilli i Vatikanit më 1985, parajmëronte; '[Rusia] do të përhapë gabimet e saj në të gjithë botën, duke shkaktuar luftëra dhe persekutime të Kishës. E mira do të martirizohet. Ati i Shenjtë do të provojë vuajtje (plagosje), dhe kombe të ndryshme do të shuhen' (13 korrik 1917).
Ngjarjet rrodhën. Më 1986, të pandehurit bullgarë dhe turq u liruan për mungesë provash. Më 1991, Bashkimi Sovjetik pushoi së ekzistuari. Në vitin 2000, pas 19 vjetësh burg në Itali, Agça u ekstradua në Turqi, ku kreu dënimin e mbetur nga koha e arratisjes - u lirua në janar 2010.
Sot jemi 42 vite më pas, vite ku shumë gjëra kanë ndryshuar, vite kur bota ende zien nga luftrat dhe besimi vihet gjithnjë në provë.