Hapet festivali “Ekrani i Artit” në Kinemanë "Republika" të Shkodrës

Shkodra Art House organizoi mbrëmë ceremoninë hapëse të “Ekranit të Artit”, në Kinema Republika. Të pranishmit patën mundësinë të shijojnë dy filma të veçantë: “Those Sweet Murky Waters” dhe “Acqua, porta via tutto”.
Më pas, në ish-Konsullatën Italiane, një program special videosh dhe një performancë muzikore elektrizuese e bënë natën edhe më magjike.

Ky festival i organizuar nga “Art House”, që nga viti 2017, ka sjellë më shumë se 200 shfaqje filmash ndërkombëtarë dhe kombëtarë, duke u bërë një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore në Shqipëri.
Falë bashkëpunimeve me institucione të ndryshme kulturore ndërkombëtare, “Ekrani i Artit” ka krijuar një platformë unike për artistët dhe shikuesit, duke prezantuar filma të ndryshëm për publikun shqiptar dhe duke zgjeruar komunitetin e talenteve që ballafaqojnë qasje e qendrime kritike, eksperienca e vepra, në një varg aktivitetesh, ku sivjet e ftuar speciale ishte edhe Iva Lulashi, nga Shkodra, që përfaqëson Shqipërinë në La Biennale di Venezia.


