Gërmimet në Apoloni, Ceka: Me 300 mijë euro që ka dhënë shteti do ishin zbuluar 100 herë më shumë gjëra

Gërmimet në Apoloni vijojnë të  nxjerrin në dritë copëza të jetës që zhvillohej shekuj më parë, jashtë mureve rrethuese të këtij qyteti antik.

Arkeologu, Neritan Ceka, thotë se ky është gërmim gjigant dhe me investime të mira por që sipas tij është i panevojshëm.

I ftuar në edicionin e lajmeve të Ora News, Ceka thotë se për këtë projekt shteti ka harxhuar 300 mijë euro, buxhet i barabartë me shumën që financohet Instituti i Arkeologjisë për 6 vite.

Sipas tij, nëse nuk do të abuzohej me klientët e qeverisë, me këtë buxhet do të mund të arriheshin shumëfish më shumë rezultate.

Ceka: Në Apoloni po bëhen gërmime shpëtimi nga një kompani private për të zbuluar objekte dhe monumente të cilat do të mbulohen së shpejti nga by-pasi i Apolonisë që do ti fusë nga autostrada Fier-Vlorë drejt Parkut Arkeologjik të Apolonisë. Gërmimi është shumë interesant. Por duke qenë një një gërmim gjigant, është gati sa një stadium, i barabartë me të gjithë gërmimet janë bërë nga Instituti i Arkeologjisë në bashkëpunim me Universitetet e huaja nga vitit 1990 dhe deri sot. Është një investim që do ishte i panevojshëm nëse do të kishte një raport korrekt që do ta fitonte këtë kërkim dhe nëse rruga do të ishte zgjedhur me një hyrje tjetër me më pak risk arkeologjik sesa është kjo që po ndodh, dhe nëse Ministria e Kulturës do të hiqte dorë nga favori që i bën klientëve të vet në fushën e arkeologjisë. Mendoj që janë inkompetentë, kanë dhënë një ekspertizë të gabuar duke e çuar rrugën atje ku është nekropoli.Të gjithë arkeologët me përvojë, përfshirë Vangjel Dhimon, e dinë që atje është varreza. Vetëm ata që i bënë relacionin Ministrisë për të marrë paratë për këtë relacion që ishte në terma private ekspertizë e arkeologëve që kanë licencë por që në fakt janë të punësuar në shtet bëri që shteti të harxhojë 300 mijë euro të panevojshme, kjo është e barabartë me shumën që Instituti i Arkeologjisë financohet nga shteti për rreth 6 vjet.

Ceka thotë se kjo situatë është pasojë e një ligji absurd që u miratua nga parlamenti në 2017 dhe që u mor nga një model bullgar.

Ceka: Kishim ligjin tonë shumë të mirë dhe mund të plotësohej në disa drejtime. Ky ligj ka krijuar një Këshill Kombëtar për Trashëgimin Kulturore i cili përbëhet në pjesën më të madhe nga burokratë, është Ministrja, më pas drejtori i një drejtorie, më pas drejtori i një drejtorie tjetër, pastaj drejtori i një drejtorie tjetër dhe ata që mund të vendosin, arkeologët janë pakicë. Shpesh herë duke qenë të tillë evitojnë vajtjen në këtë lloj Këshilli. Ky Këshill është formal dhe Shqipëria është i vetmi vend ku ky Këshill drejtohet nga Ministri, person politik.Këto janë pasojat në një kërkim të tillë burokratik të institucioneve që pastaj preferojnë klientët e tyre politikë dhe natyrisht paguan taksapaguesi shqiptar. Unë nuk shikoj ndonjë shqetësim të qeverisë për një shpenzim të tillë katastrofik, nuk ka asnjë prokupim të Ministrisë së Kulturës.

Gërmimet në Apoloni, Ceka: Me 300 mijë euro që ka

Po cila është rëndësia e kësaj varreze?

Ceka: Ka rëndësi nga pikëpamja shkencore por kjo nuk përkon me përmasat e investimit që është bërë. Gërmimi është i përsosur, e kemi vizituar para pak ditësh për ta parë nga pikëpamja e ekspertizës shkencore është një gërmim shumë i mirë, me rezultate shumë të mira por i panevojshëm. Me këto para sikur të investoheshin në drejtime të tjera në Apoloni do të kishim rezultate 50 herë më të mira që na ka dhënë ky gërmim.

Për Cekën, varreza është ana tjetër e jetës, pasqyron atë që ndodhte në qytet.

Ceka: Shikojmë që në shekullin e dytë që është shekulli i lulëzimit të Apolonisë kemi një varrezë të organizuar me parcela familjare ku duket që familjet apoloniate tradicionale ruajnë rëndësinë e tyre në jetën shoqërore. Pak nga pak, në shekulllin e tretë dhe të katërt kemi një varfërim të varreve, shpërndarje të tyre të parregullt derisa në shekulline  gjashtë varreza kthehet në një varrezë fare të varfër. Kjo është historia e Apolonisë që pasqyron krizën e Perandorisë romake nga fundi i shekullit të tretë. Në shekullin e katërt fillojnë sulmet barbare dhe në shekullin e  gjashtë Apolonia pothuajse braktiset  dhe vendin e saj e zë Bylisi. Ky është konkluzioni që nxjerr kjo varrezë. E përsëris që me investime të tilla do të kishin zbuluar në Apoloni 100 herë më shumë gjëra dhe do të kishin nxjerrë të paktën 10 herë më shumë konkluzione.

Ky është një proces që do të kalojë në disa etapa. Pas gërmimit të shpëtimit, Ceka thotë se do të hiqen varret dhe do të mbulohet terreni.

Ceka: Ka një propozim nga gërmuesit për të ruajtur një pjesë ku dallohen ura në të cilat kalonin kanalet kryesore të qytetit të Apolonisë në pjesën më veriore të gërmimit. Do të them dhe njëherë kontrastin që ka ky gërmim me atë që ndodh në Apoloni. Nga një anë arkeologët bëjnë një punë të shkëlqyer, nxjerrin rezultatin maksimal, ata që e kanë organizuar këtë kanë ndërtuar një parking absurd që është më shumë se 1 km larg nga qendra e Apolonisë. Mendoni autobusët që do ndalojnë në këtë parking që shkojnë nga kjo rrugë skandaloze që nuk parashikoi riskun arkeologjik, gjithë ky ambient është absurd në lidhje me atë që duhet ti paraqesim vizitorit.

Intervistoi Matilda Mcini, përgatiti për online Anila Kolgjini. 

EMISIONET