Genc Përmeti vjen me “Leaving Eden”, një reflektim të fuqishëm mbi diktaturat dhe propagandën

Genc Përmeti vjen me “Leaving Eden”, një reflektim të

Regjisori shqiptar Genc Përmeti vjen me filmin e tij më të ri, “Leaving Eden”, një dramë postapokaliptike që shfrytëzon gjuhën e kinemasë së zhanrit për të trajtuar tema universale si diktatura, propaganda, trashëgimia e urrejtjes dhe liria.

Ngjarjet zhvillohen gjashtëdhjetë vjet pas një apokalipsi bërthamor, në një botë të shkatërruar ku pak të mbijetuar luftojnë çdo ditë për ushqim, strehë dhe mbijetesë. Në këtë realitet të ashpër jeton Niko, një djalë dhjetëvjeçar, i rritur nga gjyshi i tij, Leksi, me bindjen se përtej kufijve të territorit të tyre ekzistojnë vetëm armiq.

Ekuilibri i kësaj bote nis të tronditet me mbërritjen e Xenit, një djaloshi rom që vendoset në zonë së bashku me familjen e tij. Takimi mes dy të rinjve vë në pikëpyetje bindjet me të cilat është rritur Niko, duke nxjerrë në pah ndikimin e edukimit, frikës dhe propagandës në formësimin e brezave.

Filmi mbështetet edhe në përvojën personale të regjisorit, i cili është rritur në Shqipërinë e diktaturës komuniste. Përmeti e shndërron këtë përvojë në një metaforë kinematografike mbi mënyrën se si regjimet autoritare ndërtojnë perceptimin e një armiku të përhershëm dhe kultivojnë iluzionin e një “parajse” që duhet mbrojtur me çdo kusht.

I xhiruar në veri të Shqipërisë, filmi shfrytëzon peizazhet industriale dhe natyrore për të krijuar një atmosferë të zymtë dhe simbolike, ndërsa kolona zanore e kompozitorit Andrea Guerra i jep dimension emocional rrëfimit.

“Leaving Eden” nuk është vetëm një histori mbijetese, por një reflektim mbi kujtesën historike, pasojat e propagandës dhe përgjegjësinë për të mos përsëritur gabimet e së shkuarës. Përmes këndvështrimit të fëmijëve, filmi trajton mundësinë për të thyer ciklin e urrejtjes që trashëgohet nga një brez te tjetri.

Në role interpretojnë Agata Buzek, Nikolla Prendi, Kristaq Pilo, Ksawery Szlenkier dhe Daniel Olbrychski.

“Leaving Eden” iu prezantua më 30 qershor kritikës italiane dhe përfaqësuesve të mediave në kinemanë historike “Azzurro Scipioni” në Romë, në një shfaqje të veçantë të organizuar në prag të daljes së tij në kinematë italiane.

Pas projeksionit, Përmeti zhvilloi një bashkëbisedim me publikun së bashku me regjisorin e njohur italian Daniele Vicari, i cili ndau vlerësimin e tij për filmin dhe diskutoi me autorin mbi temat, simbolikën dhe qasjen regjisoriale të veprës.

Pjesëmarrja e Vicarit në prezantimin e filmit përpara kritikës dhe mediave italiane konsiderohet një vlerësim i rëndësishëm për këtë produksion dhe për autorin e tij.

EMISIONET