FOTO-HISTORI/ Koha kur bikini konsiderohej “i pahijshëm” dhe ndëshkohej, kur botën e sundonte ligji moral dhe frika ndaj të bukurës

Kjo fotografi ikonike e vitit 1957 është bërë në Rimini, një nga qytetet bregdetare më të njohura të Italisë. Ky imazh dhe episod i përballjes së lirisë me ndalimin, i hirit femëror me frikën e moralit, na vendos përballë një paradoksi që sot duket pothuaj i pabesueshëm. Një trup i ri femëror në plazh, përballë autoritetit, jo si subjekt i lirë, por si objekt rregullimi, si një sfidë ndaj autoritetit. Një polic shënon një gjobë, ndërsa një grua me bikini qëndron në një qetësi që përzien habinë me dorëzimin, një çast i ngrirë ku morali institucional përplaset me trupin si hapësirë e lirisë.
Edhe pse bikini ishte prezantuar që në vitin 1946 nga stilisti francez Louis Réard, hyrja e tij në jetën publike nuk ishte një proces i menjëhershëm, por një përballje e gjatë me normat konservatore dhe papajtueshmërinë e fanatizmit për t'u bërë pjesë e një epoke, model i një përfaqësimi.
Emri “bikini”, i frymëzuar nga shpërthimet bërthamore në atolin e Paqësorit, nuk ishte i rastësishëm. Vetë ideja e kësaj veshjeje synonte të ishte “shpërthyese” për moralin e kohës dhe ngurtësinë e pranimit. Dhe në një farë mënyre, ajo ishte.
Italia e viteve ’50, ende përpëlitej nën hijen e zymtë të Luftës së Dytë Botërore, përjetonte një tension të thellë midis rindërtimit modern dhe trashëgimisë tradicionale.

Nën ndikimin e fortë dhe pushtetin absolut të Kushës Katolike dhe kodeve të ngulitura të modestisë, trupi femëror mbetej një territor i kontrolluar, ku çdo devijim nga norma interpretohej si sfidë ndaj rendit publik, si një betejë që ftonte në përplasje.
Në këtë kontekst, bikini nuk ishte thjesht një veshje plazhi, ishte një akt kulturor, një revolucion, një kurajë për zgjim.
Ekspozimi i barkut, i kofshëve, i formave joshëse të feminilitetit, shndërrohej në një deklaratë të pavullnetshme politike, shpallej një luftë.
Autoritetet lokale, sidomos në qytete bregdetare si Rimini, vendosnin rregulla të qarta mbi “dekorin publik”, duke e konsideruar çdo tejkalim si shkelje të etikës kolektive. Policia, si në këtë rast, nuk ishte vetëm zbatues ligji, por edhe roje e moralit.
Fenomeni nuk ishte i izoluar. Në shumë vende europiane dhe madje në SHBA, deri në fund të viteve ’50, bikini mbetej një veshje e kontestuar.
Në disa plazhe, gratë ndëshkoheshin për “imoralitet”, ndërsa në të tjera detyroheshin të mbulonin trupin ose të largoheshin. Ky ishte një moment kur estetika dhe etika përplaseshin në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe sfiduese. E bukura hynte në një ndeshje lirie dhe dinjiteti.
Por ajo që e bën këtë fotografi të qëndrueshme në kujtesën kolektive nuk është thjesht akti i gjobitjes. Është simbolika që ajo ka marrë me kalimin e kohës. Ajo përfaqëson një kufi historik, një vijë ndarëse midis një bote që kontrollon dhe një bote që çlirohet. Bikini, nga objekt skandali, u shndërrua në simbol emancipimi, ndërsa trupi femëror filloi të rimarrë statusin e tij si pronë e vetvetes, si atribut i një hiri që meritonte vëmendje, vlerësim dhe konsideratë.
Në këtë kuptim, fotografia është më shumë se një dokument, është një metaforë vizuale e një epoke që po lëkundej, e një ere që po shtynte velat e kësaj anijeje magjike drejt brigjeve të mrekullimit nga liria e të qenit dhe guximi i pranimit.
Ajo flet për përplasjen midis traditës dhe modernitetit, midis censurës morale dhe autonomisë personale. Dhe mbi të gjitha, ajo dëshmon se ndryshimet më të mëdha shoqërore shpesh fillojnë nga gjestet më të vogla, nga mënyra si vishemi, si ecim, si guxojmë të jemi.
Në thellësinë e këtij imazhi bardh e zi, dëgjohet një zë i largët, ai i një bote që po mësonte, me vështirësi, të pranojë lirinë dhe t'i lejojë vetes të ishte i përqafuar nga hiri që i dha kuptim botës dhe përcaktoi caqet e pafundësisë së botës së shpirtit.
Përgatiti: Albert Vataj


