FOTO-ALBUMI/ Ansambli “Proarchi” nga Kili, fitues i edicionit të 18-të të festivalit “Aulona Inter Folk”

FOTO-ALBUMI/ Ansambli “Proarchi” nga Kili, fitues i edicionit

Pas katër ditësh të mbushura me ritme, ngjyra dhe tradita nga kultura të ndryshme të botës, në Vlorë ka përfunduar me sukses edicioni i 18-të i Festivalit Ndërkombëtar “Aulona Inter Folk”, ndërsa kupën e festivalit e fitoi ansambli “Proarchi” nga Kili.

Për katër ditë me radhë Vlora u “pushtua” nga këngët, ritmet e valleve dhe ngjyrat e shumëllojshme të kostumeve popullore të grupeve folklorike ardhur në në këtë festival nga vende të ndryshme të Europës, por këtë herë edhe nga Amerika Latine e Afrika.

Drejtori i përgjithshëm i këtij festivali, Sejmen Gjokoli tha për ATSH-në se “ky edicion tregoi edhe një herë se Aulona Festival, për shkak edhe të gjeografisë së grupeve pjesëmarrëse e kthee qytetin bregdetar të Vlorës në një epiqendër të folkut botëror. Këtë vit u bënë pjesë e këtij aktiviteti të madh folku ansamble nga Kili, Polonia, Italia, Greqia, Gjeorgjia, Kosova, Mali i Zi, Burundi e disa prej ansambleve folklorike nga Vlora e vendi”.

FOTO-ALBUMI/ Ansambli “Proarchi” nga Kili, fitues i edicionit

Në ditët e festivalit rreth 350 festivalistë e mbushën Vlorën dhe rrethinat me këngë, valle e ngjyra kostumesh duke përçuar traditën shpirtërore të popujve të cilët i përfaqësojnë, njëherësh duke u kthyer eventin botëror në një urë bashkëpunimi, miqësie e integrimi mes kulturave të njeri tjetrit.

Në ditët e çeljes së sezonit turistik ky festival shënon një tjetër event të jashtëzakonshëm si pjesë e axhendës kulturore të bashkisë së Vlorës.

“Festivali si përherë nderoi historinë duke përformuar në Sheshin historik të Flamurit si dhe realizoi Paradën e Kostumeve përgjatë bulevardit “Ismail Qemali” duke i dhënë qytetit një gjerdan në lëvizje me ritme, bukuri e ngjyra”, tha Gjokoli.

Ndërsa në skenën e ngritur enkas për festivalin, në sheshin përpara stadiumit “Flamurtari”, për tri mbrëmje grupet pjesëmarrëse realizuan performancat konkurruese, të cilat u përcollën me shumë kreshëri e entusiazëm nga artëdashësit e shumtë, qytetarë vlonjatë por edhe të huaj që në këto ditë fundmaji kanë zgjedhur Vlorën për të pushuar e vizituar.

“Nisur nga fakti se për vit e më shumë festivali ndiqet nga afër nga shumë qytetarë të Vlorës por edhe të tjerë që zgjedhin Vlorën për të pushuar apo si një destinacion turistik Komiteti Organizator vendosi që duke filluar nga ky vit të ndahet edhe Çmimi Special i Publikut. Në këtë edicion me këtë çmim u vlerësua trupa folklorike e Burundit, të cilën e dorëzoi kryetari i Këshillit të Qarkut, Ervis Moçka”, tha Gjokoli.

FOTO-ALBUMI/ Ansambli “Proarchi” nga Kili, fitues i edicionit

Ndërsa kupën e edicionit të 18-të të festivalit, të cilën e dorëzoi kryetarja e bashkisë së Vlorës Bruna Mersini, e fitoi ansambli “Proarchi” nga Kili.

Performanca e tyre plot energji, kostumet unike dhe transmetimi me vërtetësi i vlerave të trashëgimisë së tyre kulturore arritën të rrëmbenin zemrat e publikut vlonjat dhe vlerësimin maksimal të jurisë.

Në fjalën e saj, kryebashkiakja Mersini tha se “ky festival është një traditë dhe miqësi mes popujve. Vlora u bë ura për të lidhur miqësitë, ritmet, ngjyrat dhe zemrat midis popujve”.

Sipas organizatorëve, aktiviteti “Aulona Folk Festival” përgjatë dy viteve të fundit ka rezultuar si një ndër eventet më të mira folklorike në aplikacionin TEA.

Vetëm për efekt të këtij aktiviteti qytetin e Vlorës dhe rrethinat kanë pasur rastin t’i vizitojnë rreth 140 ansamble folklorike me mbi 4900 pjesëmarrës nga 39 vende të Ballkanit, Evropës, Azisë, Amerikës e Afrikës.

Festivali “Aulona Internacional Folk” konfirmohet edhe një herë si një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore të sezonit, duke sjellë një impakt të madh jo vetëm në jetën artistike, por edhe në turizmin e qytetit bregdetar

Festivali u mbështet nga bashkia e Vlorës, Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sporteve si dhe Këshilli i Qarkut të Vlorës.

EMISIONET