Fjoralba Cakoni shpallet fituese e ligjërimit “Sonia Kovalevsky”

Shoqata për Gratë në Matematikë dhe Shoqëria për Matematikën Industriale dhe të Aplikuar (SIAM), kanë zgjedhur prof. dr. Fjoralba Cakonin lektore të vitit 2026, në kuadër të ciklit prestigjioz të ligjëratave “Sonia Kovalevsky”.
Ky vlerësim përbën një nga nderimet më të rëndësishme ndërkombëtare në fushën e matematikës së aplikuar dhe jepet për personalitete me kontribute të spikatura shkencore. Ligjërimi do të mbahet gjatë takimit vjetor të SIAM 2026, që do të zhvillohet në Cleveland, Ohio, SHBA, në datat 6–10 korrik 2026.
Prof. dr. Fjoralba Cakoni, anëtare e jashtme në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë dhe Drejtore Ekzekutive e Institutit Kombëtar të Matematikës, është profesore e dalluar e Matematikës në Universitetin Rutgers, SHBA. Ajo është anëtare e Shoqatës Amerikane të Matematikës (AMS) dhe e SIAM.
Prof. dr. Cakoni është autore dhe bashkautore e mbi 120 artikujve shkencorë dhe tre monografive.
Krahas veprimtarisë së saj të suksesshme ndërkombëtare, prof. dr. Fjoralba Cakoni ka mbajtur lidhje të vazhdueshme akademike me Shqipërinë, duke kontribuar në promovimin e matematikës dhe në mbështetjen e brezit të ri të studiuesve shqiptarë.

/ATSH

