Fjalor për të mësuar Shqipen, akademikët: Të rinjtë probleme në njohjen e gjuhës, shkak edhe mësimdhënia

Mangësitë e të rinjve në përvetësimin e Gjuhës Shqipe akademikët ja faturojnë problemeve të mësimdhënies dhe teksteve të dobëta që përdoren në shkolla.

Reformat e pjesshme dhe mosmbështetja e arsimit nga politika, janë të tjera arsye.

"Problemet që ka shkolla, tekstet, mësimdhënia, problemet që lidhen me reformat, përshtatjen ndaj tyre, duhet një vëmendje më e madhe mbështetëse nga shteti për shkollën në përqindjet që e kanë të gjitha shoqëritë moderne."

Për të ndihmuar fëmijët por edhe më të rriturit në njohjen e shqipes standarde dhe përdorimin saktë të saj profesor Shezai Rrokaj dhe Anila Kananaj sjellin dy fjalorë të gjuhës, njëri me ilustrime për moshën 5-11 vjeç dhe një tjetër për moshën mbi 12 vjeç.

"Është punuar me teknika shumë moderne, është ndërtuar një korpus fjalësh ku janë hedhur të gjitha tekstet shkollorentë kësaj fashe moshore prej 100 bilion fjalësh prej të cilave ne kemi nxjerrë edhe fjalët, edhe kuptimet që i përkasin kësaj moshe."

Studiuesja, Anila Kananaj, thotë se përveç nxënësve të shkollës, botimet ju shërbejnë edhe shqiptarëve të diasporës për të mbajtur gjallë gjuhën e tyre.

"Këto plotësojnë një mungesë dhe mundësojnë mbajtjen gjallë të shqipes jo vetëm këtu, sepse këtu e transmetojmë brez pas brezi, por veçanërisht jashtë Shqipërisë."

Autorët Shezai Rrokaj dhe Anila Kananaj kërkojnë mbështetjen e Ministrisë së Arsimit që këta fjalorë të mund të përdoren edhe nga ata fëmijë që nuk kanë mundësi financiare për ti blerë ato.

EMISIONET