Festë për albanologun me origjinë greke, Akademia e Shkencave aktivitet në nder të 80-vjetorit Tito Jochalas
Tito Jochalas, albanologu i famshëm me origjinë greke, e festoi 80-vjetorin e tij në një aktivitet të mbajtur nga Akademia e Shkencave. Në të u cituan disa nga punët e tij më të mira që u cilësuan si një frymëzim nga akademikë të ndryshëm shqiptarë dhe jo vetëm.
Me rastin e 80-vjetorit të lindjes të albanologut me origjinë greke, Titos Jochalas, ndryshe i njohur dhe si “albanologu i arvanitëve”, në Akademinë e Shkencave u mbajt një aktivitet në nder të punimeve të tij gjatë gjithë këtyre viteve.
Të pranishëm ishin akademikë të ndryshëm të gjuhës shqipe dhe jo vetëm, të cilët e përshkruan punën e Jochalas për albanologjinë si një punë që duhet admiruar.
Pjesë e aktivitetit, edhe pse jo fizikisht, ishte edhe akademiku i shquar Italian Matteo Mandala, i cili me anë të një letre tha se punimet e Tito Jochalas nxorën në dritë bukuritë e gjuhës së vjetër shqipe.
"Pasioni dhe puna e autorit për të studiuar gjuhën shqipe, ishte një frymëzim. Ky mesazh poetik ka një respekt të madh nga ana ime si akademik. Autori i dha një tjetër frymë studimeve akademike të gjuhës shqipe në Greqi. Edhe sot e kësaj dite ne vijojme të studiojmë shkrimet e autorit pasi ishin një punë që nxorën në dritë bukuritë e kësaj gjuhe."
Vetë akademiku,Tito Jochalas, gjatë një fjalimi u shpreh se kjo ishte një nga ditët më të bukura të karrierës së tij, duke iu shprehur mirënjohës këtij aktiviteti.
"Sot ishte për mua dita më e bukur e jetës time shkencore."
Akademiku Titos Jochalas ndoqi traditën më të vyer të albanologjisë dyshekullore në Greqi, që i ka bërë shërbime të çmuara shkencës së origjinës dhe identitetit kombëtar shqiptar.
Ai ndoqi gjithashtu paradigmën bazë më të përparuar të albanologjisë që është zhvilluar e zhvillohet në hapësirën shqiptare edhe sot në botë.


