Festa e Fitër Bajramit, arqipeshkvi metropolit Shkodër- Pult Giovanni Peragine uron besimtarët myslimanë…

Arqipeshkvi Metropolit Shkodër-Pult, Giovanni Peragine, ka uruar besimtarët myslimanë për festën e Fitr Bajramit. Në një mesazh të dërguar, ai ka shprehur urimet e tij të përzemërta dhe ka theksuar rëndësinë e muajit të Ramazanit për jetën shpirtërore dhe forcën që ai u ka dhënë besimtarëve.
Peragine ka përmendur gjithashtu mesazhin e Këshillit Papnor për Dialogun Ndërfetar, i cili promovon vëllazërinë dhe dialogun ndërmjet myslimanëve dhe të krishterëve si një shpresë për një botë më paqësore dhe të bashkuar. Ai ka shprehur gjithashtu dëshirën për më shumë mirësi, paqe dhe dashuri në mbarë botën.
Në mesazhin e tij, ai ka theksuar se, për shkak të angazhimeve jashtë vendit, nuk mund të jetë fizikisht i pranishëm me besimtarët, por i ka uruar ata nga zemra dhe ka kërkuar që Zoti t’i ndihmojë në ecjen në rrugën e mirësisë dhe paqes.
Urimi:
Shumë i nderuar Imam Muhamed Sytari,
Myftiu i Shkodrës,
Të nderuar vëllezër dhe motra myslimanë,
Në emrin tim personal dhe të Arqidioqezës Metropolitane Shkodër-Pult, ju uroj: GËZUAR festën e ’ID AL-FITR-it, Bajramit!
Kjo festë vjen pas agjërimit dhe lutjeve që keni bërë gjatë muajit të Ramazanit, i cili është një periudhë e rëndësishme për jetën shpirtërore dhe komunitetin mysliman. Uroj që ky muaj t’ju ketë dhënë forcë të re në jetën tuaj shpirtërore dhe të ketë mbjellë në zemrat tuaja dashuri, paqe dhe mirësi.
Gjithashtu, Këshilli Papnor për Dialogun Ndërfetar ju përcjell të gjithëve urimet e tij të përzemërta. Këtë vit, mesazhi i tij ka si moto: “Të krishterë dhe myslimanë: ajo që shpresojmë të bëhemi së bashku”, ku thuhet:
“Në një botë të shënjuar nga padrejtësia, konfliktet dhe pasiguria për të ardhmen, thirrja jonë e përbashkët mbart shumë më tepër sesa praktika të ngjashme shpirtërore. Bota jonë ka etje për vëllazëri dhe dialog të vërtetë. Së bashku, myslimanët dhe të krishterët mund të jenë dëshmitarë të kësaj shprese, me bindjen se miqësia është e mundur pavarësisht peshës së historisë dhe ideologjive. Prandaj, ajo që dëshirojmë të bëhemi së bashku është të jemi vëllezër e motra në njerëzishmëri, duke e çmuar thellësisht njëri-tjetrin. Besimi ynë në Zot është një thesar që na bashkon.”
Për shkak të angazhimeve jashtë vendit, nuk kam mundësi të jem pranë jush në këtë ditë të shënuar, por nga zemra ju uroj edhe një herë Gëzuar Bajramin!
Zoti i Mëshirshëm dhe i Gjithëpushtetshëm na ndihmoftë që të ecim gjithmonë në rrugën e mirësisë, dhembshurisë dhe paqes në mbarë botën! /Mesazh nga arqipeshkvi metropolit Shkodër- Pult, Giovanni PERAGINE/



