Ferdinand Knab, poeti i narracionit të muzgjeve të flakërimta në pikturën gjermane

Ferdinand Knab, poeti i narracionit të muzgjeve të flakërimta

Arkitektura dhe natyra, vijnë përmes ligjërimit koloristik të gjermanit Ferdinand Knab me një çiltërsi dhe zhdërvjedhtësi të admirueshme, në një qasje për të krijuar një marrëdhënie të shqisave, por edhe si një dëshmim i aftësisë për të gjetur ndërmjet këtyre dy kuptimësive një balancë mes së cilës baraspeshon ndijimi.

Gjithëpoaq, arkitekti dhe ndërtuesi sjellin botën shpirtërore të piktorit si një pranim i të dy këtyre përfshirjeve emocionale, me të cilat ai mbrujti shpirtin krijues. Ferdinand Knab nuk guxoi të braktiste arkitektin, në të njëjtën kohë ofron një shpirtëzim të botëkuptimit trajtuar në dy rrafshe përmes një kumtimi, që aq sa manifeston artin mahnitës të arkitektin dhe korrektësinë e trajtës aq shkrin përëndimet e magjishme dhe poetikën e ngjyrave në aktin sublim të pikturimit.

Mes ngjyrës dhe shprehisë qëndron kërshëria për ta parë dhe trajtuar pamjen dhe përfytyrimin me nota të theksuara poetike. Panoramimi i idilikës së muzgjeve është një kuadër i plotë i asaj që piktori Ferdinand Knab sjell përmes galerisë së tij në një traditë, e cila është jo vetëm e pasur me komunikimin përmes peizazhit, por edhe korrekte porsa i përket reflektimit të asaj që është më ç’farë kumton vepra e gjermanit.

Tablotë e tij dallohen për konceptimin e tyre poetik. Ai më së shumti i nënshtron motivet arkitekturore atyre të peizazhit, ndoshta për të gjetur një harmonizim të krijimit të njeriut me mrekullinë e vetë Zotit. Atij i pëlqenin harmonitë plot ngjyra të mbrëmjes që hedhin magjinë e tyre mbi rrënojat dhe grupet e fuqishme të pemëve. Akuarelët e tij kanë një vlerë të veçantë. "Fletët e fotografive të Mynihut" përmbajnë një seri prerjesh madhështore të bazuara në vizatimet e Knab.

Ferdinand Knab  u lind në Würzburg më 12 qershor 1837  dhe vdiq në Mynih më 3 nëntor 1902) duke mbetur një piktor i shquar gjerman i kapërcyellit të dy shekujve.

Knab ishte fillimisht një student i Heideloff në Nuremberg, me të cilin ai u punësua praktikisht për dy vjet në industrinë e ndërtimit dhe shkoi në Mynih në 1859 për t'iu përkushtuar pikturës arkitekturore. Ai ndoqi shkollat Arthur von Rambergs dhe Pilotys dhe shkoi në Itali në 1868. Që nga kthimi i tij, ai kishte një preferencë për motive nga ky vend dhe në mes u përfshi shpesh në punimet për kopshtin dimëror të mbretit Ludëig II në rezidencën e Mynihut dhe për Pallatin Linderhof. Knab gjithashtu krijoi tetë fotografi për pavijonin mbretëror në stacionin e trenit të Mynihut. Në vitin 1870 ai u ngarkua me skenën e "Flautit Magjik" të Mozartit në Operën e Oborrit.

Arti i Ferdinand Knab tregon një trajtëzim unik të peizazhit, duke ruajtur natyrën të paprekur në një marrëdhënie të saj me arkitekturën, me fragmente të një qytetërimi që mbijeton dhe të një nevojë për të hymnizuar linjat dhe trajtat e shkujdesura të mureve që shkrihen harmonishëm në tablo. Ndërtimet njëjtësohen në natyrë si në një komunikim, ligjërimi i të cilit ka aftësinë të shndërrojë çastet e përjetësuara të piktorit në fragmente idilike.

ferdinand knab albert vataj

EMISIONET