“Eurovision” përballet me vendim të rëndësishëm mbi pjesëmarrjen e Izraelit

Organizatorët dhe vendet pjesëmarrëse në konkursin e këngës në Eurovision do të mblidhen sot në një takim – për të diskutuar nëse Izraelit duhet t’i lejohet të vazhdojë garën, mes protestave për mënyrën se si qeveria e tij po zhvillon luftën në Gaza dhe akuzave për praktika të padrejta të votimit, sipas BBC.
Vende duke përfshirë Irlandën, Spanjën, Holandën dhe Slloveninë kanë thënë se do ta bojkotojnë Eurovision-in nëse Izraeli merr pjesë. Gjermania ka lënë të kuptohet se do të tërhiqet nëse Izraeli përjashtohet.
Takimi vjen pasi protestuesit anti-Izrael u përpoqën të prishnin të dy konkurset e vitit 2024 dhe 2025, duke përmendur kundërshtimin e tyre ndaj numrit të të vdekurve palestinezë në Gaza.
Gjatë finales së madhe të këtij viti në Bazel të Zvicrës, dy persona u përpoqën të hynin në skenë dhe të hidhnin bojë mbi konkurrentin e Izraelit, Yuval Raphael. Ata u ndaluan nga anëtarët e ekipit dhe më vonë u arrestuan.
Raphael, zuri vendin e dytë në konkurs, pas një fitoreje bindëse në votimin publik.
Megjithatë, rezultati shkaktoi reagime të ashpra nga vendet e tjera, të cilat thanë se qeveria e Izraelit kishte rritur artificialisht pozicionin e tyre përmes një fushate të gjerë reklamuese të paguar, duke i nxitur njerëzit në të gjithë Evropën të votonin për këngën e tyre.
Izraeli nuk u është përgjigjur këtyre akuzave, por shpesh ka argumentuar se është përballur me një fushatë globale shpifjeje.
Muajin e kaluar, organizatorët e Eurovision-it njoftuan se po shtrëngonin rregullat e votimit të konkursit për të kufizuar ndikimin e qeverive në rezultate.
Pa e përmendur Izraelin, Unioni Evropian i Transmetimeve (EBU) tha se do të ndalonte fushatat promovuese joproporcionale, veçanërisht nëse ato ndërmerreshin ose mbështeteshin nga palë të treta, duke përfshirë qeveritë ose agjencitë qeveritare.
Ai njoftoi gjithashtu se fansat do të mund të hidhnin vetëm 10 vota secili, nga 20 dhe se do të ndërmerreshin hapa për të përmirësuar zbulimin e aktivitetit mashtrues ose të koordinuar të votimit.


