Episod nga jeta e Honoré de Balzac

Episod nga jeta e Honoré de Balzac

Në rrethin intelektual të Parisit të shekullit XIX qarkullonte një episod domethënës, ku mprehtësia e mendjes vihej në provë jo nga pamja, por nga thellësia e gjykimit.

Një nxënës i neurologut të famshëm Jean-Étienne Dominique Esquirol mburrej se zotëronte një aftësi të rrallë, të dallonte, që në shikim të parë, një budalla nga një i mençur.

Mburrja e tij nuk i shpëtoi veshit kritik të profesorit, i cili vendosi ta vërë në provë, jo me teori, por me jetë.

Esquirol e ftoi nxënësin për drekë. Kur studenti mbërriti, gjeti në tryezë edhe dy të ftuar të tjerë. Njëri prej tyre ishte i qetë, korrekt, me një seriozitet të ngrirë; gjatë gjithë drekës nuk shqiptoi asnjë fjalë. Tjetri, përkundrazi, ishte i harlisur, fliste pa ngurrim, tregonte histori, shfaqte një gëzim të çlirët dhe dukej se e shijonte çdo çast të bisedës.

Pas largimit të të ftuarve, Esquirol iu kthye nxënësit: — Njëri prej këtyre është budalla. Të shohim nëse do ta gjesh.

Nxënësi u përgjigj pa hezitim: — Budalla ishte ai që fliste shumë. I mençuri, padyshim, ishte ai që heshti.

Profesori buzëqeshi lehtë dhe tha me qetësi: — Gaboheni.

Pastaj shtoi shpjegimin që do ta kthente këtë drekë në një mësim të paharrueshëm: — Ai që heshti ishte budalla. Heshtja e tij nuk ishte fryt i urtësisë, por i mendjemadhësisë.

Ai e mbante veten “zot të përjetshëm” dhe nuk fliste sepse besonte se nuk i shkonte për nder të bisedonte me njerëz të thjeshtë. Ndërsa ai tjetri, që fliste me gjallëri dhe pasion, ishte një shkrimtar i ri, që sapo kishte nisur të bëhej i njohur në Paris, i çmuar për talentin dhe zërin e tij të veçantë. Quhet Honoré de Balzac.

Ky episod, i thjeshtë në dukje, përmban një të vërtetë të thellë, mençuria nuk matet me heshtjen ceremoniale, as marrëzia me gjallërinë. Balzaku, i cili do të shndërrohej në një nga arkitektët më të mëdhenj të romanit modern, ishte dëshmi se shpirti krijues flet, shpërthen, përfshihet në jetë. Ndërsa mendjemadhësia, sado e heshtur dhe e rregullt, mbetet një formë e varfër e boshllëkut intelektual.

Në fund, mësimi i Esquirol-it nuk kishte të bënte vetëm me diagnostikimin e mendjes njerëzore, por me etikën e gjykimit, mos e ngatërroni zhurmën e pasionit me marrëzinë, as heshtjen e ftohtë me mençurinë. Në tryezën e jetës, janë fjalët e gjalla dhe mendimi që guxon të shprehet ato që lënë gjurmë.

Përgatiti: Albert Vataj

EMISIONET